Përfundon “Gjon Mili”, fiton Dobreci
06/09/2009 Tanimë një aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar për fotografinë, ekspozita “Gjon Mili” ka edhe një fitues më shumë në historinë e saj. Në edicionin e nëntë të saj, të mbyllur mbrëmjen e së enjtes, fitues është shpallur fotografi Fisnik Dobreci. “E çmendura, botë e jona”, tema e sivjetme e ekspozitës duket se ka ardhur frymëzuese e ka ngjallur ndjesitë e krijimit përtej tyre. Rreth tridhjetë fotografë nga vende të ndryshme të botës kanë marrë pjesë në këtë ekspozitë ndërkombëtare, që mban emrin e fotografit të njohur me origjinë shqiptare Gjon Mili. Gjon Mili lindi në vitin 1904 në Korçë. Për 15 vjet ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”. Në vitin 1949 krijoi një seri fotosh me Pikason në Valori të Francës. Ndër to ishte edhe ajo më e njohura, me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”, që gjendet në shumë albume të ajkës së fotografisë botërore. Më 1952 hapi ekspozitën kushtuar Pikasos në Galerinë e Parisit. Mori pjesë edhe në ekspozitën kolektive më të madhe të fotografëve të shekullit të kaluar me emrin “Familja e njeriut”, hapur në Nju-Jork me 1955. Këtu Mili u përfaqësua me foton “Nudo duke zbritur shkallët”. Në vitin 1970 u botua në Nju-Jork album-monografia e tij “Picasso’s third dimension”. Dhjetë vjet më vonë, më 1980, shoqata “New York Graphic Society” botoi “Gjon Mili - Photographs & Recollections” (“Gj. Mili - fotografi e kujtime”). Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të tijin gjashtë filma dokumentarë. Veprimtaria artistike e fotografit Mili përfshin me sukses shumë zhanre të fotografisë, si peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve (teatër, kinema, koncerte, vallëzime etj.), sportive, eksperimentale etj. Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore, si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Sean o’Kejsi, piktorin Brak, pianistin Rubinstein, dramaturgun Jonesko, violonçelistin dhe dirigjentin Kazals, piktorin Matis, këngëtaren Zhyljet Greko, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson etj. Po ashtu ai ka fotografuar politikanë të njohur të kohës, si ish-presidentin Truman, ministrin Molotov, lordin Halifaks e shumë të tjerë. Ekspozita e parë vetjake e Milit është hapur më 1934, ndërsa e fundit, me më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë, me 140 foto, më 1980 në Nju-Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Vdiq në Nju-Jork më 15 shkurt të vitit 1984.