Bashkia padi penale për firmat e rrugëve
04/09/2009 Nuk kanë përfunduar në kohë dorëzimin e objekteve. Durrësi në pluhur e kaos
DURRES- Të gjitha firmat që nuk kanë përfunduar në kohë dorëzimin e objekteve apo të tjera që kanë ndërprerë punimet për arsye të ndryshme, bashkia ka vendosur t’i padisë në gjyq. Deklarimi vjen nga nënkryetari i bashkisë së Durrësit Adrian Çela pas inspektimit të disa rrugëve të mbetura pezull në zbatimin e projektit. “Nuk kemi pse të presim pasi gjithçka është e nënshkruar në kontratë dhe detyrimet janë reciproke si për bashkinë edhe për firmën”,-ka thënë Çela.
Dosja
Nënkryetari ka pranuar se në dosjen që do të kalojë në organet e Prokurorisë për ndëshkim të subjekteve dhe prishje të kontratës ka jo vetëm procesverbalet e kontrollit dhe të vërejtjeve në zbatimin e projekteve, por edhe paralajmërimet e bëra nga bashkia. Disa firma nuk janë treguar të gatshme të rikorrigjojnë gabimet, ndërkohë që Çela ka pohuar se disa prej sipërmarrësve kanë mundur të mbulojnë boshllëqet. Megjithatë, disa rrugë të nisura së ndërtuari muaj më parë vijojnë të jenë të parikonstruktuara edhe pas mbarimit të të gjitha afateve kohore. Këtë vit bashkia ka investuar në 11 rrugë një pjesë të klasifikuara si rrugë kryesore në lagjet e qytetit. Për rikonstruksionin e tyre janë dhënë nga buxheti i pavarur i bashkisë 209.4 milionë lekë. Këto segmente kanë qenë tërësisht të dëmtuara dhe në projekt është parashikuar shtrimi i rrjetit inxhinierik duke nisur nga sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha, tek ndriçimi dhe deri tek mbjellja e pemëve. Një pjesë e këtyre rrugëve kanë përfunduar siç janë rruga “Bashkimi”, “Drita”, “30- vjetori”, “G. Durrsaku” etj. Ndryshe nga këto segmente rrugore që kanë fare pak punë me trotuaret, gjelbërimin e ndriçimin, në disa të tjera punimet janë ndërprerë. Konkretisht në rrugën “Agimi”, “Çajupi” dhe “Kristaq Rama” ka kohë që janë larguar punëtorët dhe janë shkrehur kantieret duke lënë të pashtruar rrugët nën pluhur dhe masive zhavorri e betoni. Bashkia ka fajësuar firmat për ngadalësi dhe cilësi të dobët në zbatimin e projektit, kurse firmat kanë akuzuar bashkinë për moslikuidimin e situatave. Problem mbetet rruga “Tregtare” nga bashkia deri në hyrje të portit dhe rruga në qendër të qytetit që nis tek busti i Azem Hajdarit dhe përfundon tek kryqëzimi i stacionit të trenit. E para duhej të merrej në dorëzim së paku dy vjet më parë, kurse e dyta ka dy muaj që ka kaluar afatin e përfundimit si investim. Në bashki nuk është thënë asgjë zyrtare, por është lënë të kuptohet se firmat nuk kanë qenë serioze dhe se kanë punuar pa cilësi. E njëjta gjë është thënë për rrugën “Kristaq Rama”. Ky segment duhej të përfundonte më 20 korrik, por që në fillim të qershorit e deri më tani aty nuk ka asnjë mjet dhe asnjë punëtor. Bashkia ka bërë të ditur se ka përgatitur dosjet për të ndjekur penalisht firmat zbatuese, pohim që është bërë edhe nga firmat si kundërpërgjigje. Gjithsesi, ndërsa palët akuzojnë njëra-tjetrën, rrugët kanë mbetur përgjysmë. Bizneset dhe familjet që janë në anë të rrugëve të mbetura të papërfunduara kanë protestuar herë pas here në bashki. Pluhuri i rrugës ka detyruar lokalet të mbyllin aktivitetin, kurse apartamentet familjare janë detyruar të mbajnë të mbyllura dritaret. Nënkryetari i bashkisë nuk ka dhënë ndonjë afat se kur këto rrugë do të përfundojnë, por ka theksuar se asgjë nuk do të pengojë bashkinë të penalizojë firmat e parregullta.