E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon Samiti Ndërkombëtar i Gruas

Ka përfunduar punimet Samiti Ndërkombëtar i Gruas me temë “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas” në të cilin, për tri ditë radhazi, u diskutua për mënyrën e fuqizimit të gruas në të gjitha sferat, e me theks të veçantë në barazinë gjinore. Ky Samit në të cilin morën pjesë shumë personalitete të njohura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, ambasadorja e SHBA-ve për Çështje Globale të Grave, Melanne Verveer, ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, etj, u organizua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së.

Samiti i gruas, i pari i këtij lloji në rajon, bëri bashkë rreth 200 lidere nga sektori publik dhe ai privat nga Kosova dhe vendet tjera, për të adresuar zhvillimin ekonomik, pjesëmarrjen në politikë dhe çështjet e sigurisë së grave.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën përmbyllëse të këtij Samiti, ka parë të arsyeshme që Samite të tilla të ndodhin sa më shpesh, pasi që, sipas saj, ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të gruas në shoqëri.

“Ka ardhur koha që të mbyllim punën e këtij samiti në të cilin kishim shkëmbime të shkëlqyeshme, diskutime produktive, informata të veçanta ku ne gratë edhe një herë bashkuam zërat që të vazhdojmë angazhimin tonë rreth fuqizimit të gruas. Është obligim i ynë, si liderë që të ngrisim zërin tonë dhe të bëhemi zëri i të gjitha grave i shoqërive tona dhe kudo në botë, ku do që drejtat e tyre janë të mohuara. Ne kemi përcaktuar gjendjen se ku qëndrojmë si individë, si udhëheqës, si institucione, si rajon, në çështjen e barazisë gjinore që në thelb tregon se sa e plotë është demokracia jonë”, ka thënë ajo.

Presidentja Jahjaga, po ashtu, ka thënë se është koha e fundit që gruaja të bëhet më aktive dhe të merr përgjegjësi për të avancuar më tutje të drejta e saj, por, sipas saj, për të pasur sukses në secilën fushë duhet të ketë më shumë diskutime të vazhdueshme, jo vetëm mes vete por edhe me burrat.

Jahjaga më tej ka theksuar se, gratë duhet të ndërtojnë partneritete me biznese dhe qeverinë, sepse këto partneritete do të trashëgohen edhe nga gjeneratat e ardhshme të gruas.

Sipas saj, në këtë Samit u dakorduan, se fuqizimi ekonomik i gruas është jetik për rritjen ekonomike që garanton qasjen e gruas në drejtësi, siguri dhe vendimmarrje, dhe se duke i fuqizuar gratë ekonomikisht forcohet familja, shoqëria, por edhe shteti në përgjithësi. Dhe për këtë qëllim presidentja bëri të ditur se deri në fund të vitit do të themelojë një organizatë joqeveritare, e cila do të merret me fuqizimin ekonomik të gruas.

“Së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Industrisë dhe USAID-in, dua të ju informoj se si rezultat i këtij Samiti do të krijohet grupi themelues prej shtatë anëtarësh të përberë prej grave afariste, i cili grup do t’i identifikojë deri në fund të vitit mandatin dhe strukturën e një organizate të re joqeveritare për fuqizimin ekonomik të gruas, e cila do të udhëhiqet nga gratë kosovare”, ka thënë ajo.

Kjo shoqatë do të jetë një subjekt i ri i pavarur ligjor dhe do të gëzojë përkrahjen e plotë të institucioneve tona.

Për këtë nismë, presidentja Jahjaga ka thënë se e ka mbështetjen edhe të ministres së Tregtisë dhe Industrisë.

Mimoza Kusari-Lila, shfrytëzojë këtë Samit për të sqaruar funksionimin e kësaj organizate.

Ambasadorja amerikane për çështjet globale të grave, Melanne Veveer, tha se ky Samit është vetëm hapi, për të arritur barazinë gjinore dhe perspektiven e të drejtës së gruas në rajon, por edhe në botë.

“Angazhimi ynë për të arritur barazinë gjinore dhe perspektiven e të drejtës së gruas në rajon dhe në botë duhet të vazhdojë edhe më tej. Kjo konferencë është vetëm fillimi i punës sonë, sepse ne duhet t’i përshpejtojmë përpjekjet tona gjatë javëve dhe muajve të ardhme. Po largohem nga këtu me parimet e Prishtinës, ide të shkëlqyeshme, praktika të ndryshme për këtu dhe vende të tjera, sepse po largohem me lidhje të reja, me mjete të forta të bashkëpunëtorëve dhe po largohem duke u zotuar se do të jem agjente e ndryshimit kudo në botë”, ka thënë ajo.

Përfaqësuese vendase e ndërkombëtare, thanë në Prishtinë se pa përfshirjen e plotë të grave, demokracia në asnjë vend nuk është e mundur dhe se politikat që trajtojnë pozitën e gruas janë sprovë e seriozitetit dhe parametër matës për orientimin drejt së ardhmes së një vendi. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›