Përfundon numërimi i votave në disa bashki të vendit

Procesi i numërimit të kutive të votimit në disa prej bashkive në rang vendi ka përfunduar, duke dhënë edhe fituesit e parë të zgjedhjeve lokale. Kështu në Bashkinë e Ersekës kandidati i "aleancës për të ardhmen" Ali Laho ka marrë 1548 vota ndërsa kandidatja e "aleancës për qytetarin" Zhaneta Prifti ka marrë 1232 vota.
Ndërsa pas përfundimit të numërimit të votave në Pukë kandidati i "aleancës për qytetarin" Beqir Arifi kryeson me 50 vota. Në Delvinë, përfundon numërimi i votave, shpallet fitues kandidati i PD-së. Në Berat, përfundoi numërimi në komunën Otllak ku fitoi kandidati i PS-së me 12 vota më shumë se i PD-së.
Ndërsa në Urën Vajgurore ka fituar me 12 vota më shumë kandidati i PS-së, Syrja Ormenaj. Në Tepelenë ka fituar kandidati i PS-së, Tërmet Teci me 1741 vota, ndaj Reshat Zike të LZHK-së me 1188 dhe atij të PD që mori 750 vota. Gjthashtu, numërimi ka përfunduar edhe në bashkinë e Ballshit ku kryeson kandidati i "aleancës për të ardhmen" Ilir Çela me 3997 vota kundrejt kandidates së djathtë Dallëndushe Balilaj e cila ka marrë 3816 vota.
Ka përfunduar numërimi edhe në Memaliaj ku ka rezultuar fitues kandidati i majtë Lulzim Meçi me 100 vota më tepër se kandidati i djathtë. Fitorja është konfirmuar edhe për kandidatin e PD Ilir Krosi me 4422 vota kundr Ilir Vraniçi nga PS-ja me 3013, ndërsa në Bulqizë fiton kandidati i PD-së Roland Keta me 2597 duke lënë pas Myfit Duriçi nga PS me 2440.
Në Gjirokastër fiton sërish kryetarii bashkisë Flamur Bime i cili përfaqëson PS duke lënë pas Genci Sinoimeri me 5150. Në Përmet kryesoi Gilberto Jaqe me 2150 nga PS ndërsa Kujtim Hoxha mori 1811 vota.
Në bashkinë Maliq fiton Gëzim Topçiu nga PS me 182 vota më tepër se Xhevdet Blishata që përfaqëson Partinë Demokratike.