E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Kam rezultate inkurajuese, por do pres KQZ

09/05/2011  Kandidati demokrat për Bashkinë përshëndet pjesëmarrjen në votim

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, doli dje në orët e vona të mbrëmjes para medias në një deklaratë, ku u rezervua të shpallte një rezultat për veten e tij, megjithëse u tregua optimist. Ai tha se “sapo qytetari i fundit i Tiranës që kishte ndërmend të votonte ka hedhur votën e tij, nuk ka mbetur më qytetar pa votuar”, duke përshëndetur në këtë mënyrë dhe procesin e votimit. “Unë kisha ruajtur këtë moment për këtë mesazh për qytetarët. Dua t’i falënderoj që u përfshinë në fushatë, për vëmendjen që i kushtuan kandidatëve dhe mundësinë që më dhanë mua t’i kushtoj vëmendje”, tha Basha. Ai u shpreh se pjesëmarrja rekord për Tiranën, procesi i ndershëm demokratik dhe ligjor, transparenca e procesit kërkojnë që palët të njohin e të respektojnë rezultatin. “Të gjithë qytetarët e Tiranës janë fitues, të dhënat si pjesëmarrja, sondazhet e exit-poll janë optimiste, unë jam i vendosur të pres numërimin dhe shpalljen e rezultateve”, tha Basha. Ai theksoi se transparenca e numërimit, respektimi i rezultatit është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit. Basha tha se numëruesit kanë tani në duar procesin zgjedhor. Në raport me qëndrimin e rivalit të tij, Basha u shpreh se pyetjet nëse do ta njohë apo jo rezultatin Rama, pasi të dalë zyrtarisht nga KQZ, ky nuk është problem i tij, por ai si një ndër kandidatët më të rëndësishëm të kësaj gare është i prirur të respektojë vullnetin e zgjedhësve, të cilët sipas kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, kanë qenë në një numër të konsiderueshëm që kanë votuar për kreun e Bashkisë së kryeqytetit. Gjithsesi dhe në daljen e djeshme sërish Basha iu shmang retorikës dhe polemikave në distancë, ashtu siç ka bërë përgjatë gjithë fushatës elektorale. Basha dje përgjatë gjithë ditës ka qëndruar në zyrat e Partisë Demokratike, për t’u shkëputur disa orë në mesditë për të shkuar pranë bashkëshortes dhe vajzës së tij.

PD situata e qetë, shmangen grumbullimet e militantëve

Situata në Partinë Demokratike dje ka qenë përgjithësisht e qetë, dhe pas daljes së rezultateve nga instituti i sondazheve Gani Bobi. Në orët e para pas votimeve, u panë njerëz që vinin në selinë e PD-së, por përgjithësisht ishin persona që ishin angazhuar me zgjedhje përgjatë tërë ditës, dhe në mbrëmje kishin shkuar për të raportuar në selinë e PD-së. Gjithsesi situata ka qenë mjaft e qetë, përgjatë tërë ditës dhe mbrëmjes, në raport me zgjedhjet e vitit 2009, kur militantët dhe simpatizantët e kësaj partie kur vërshuan rrugëve, dhe u krijua një situatë e tensionuar në Tiranë. Kujtojmë këtu momentet e këtij tensioni përpara Partisë Socialiste kur u rrezikua një përplasje militantësh, dhe ishte thirrja e zëdhënëses Majlinda Bregu ajo që e qetësoi situatën. Duket se nga ana e Partisë Demokratike, u pasqyrua e gjithë qetësia që ajo implementoi përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, si një fushatë pozitiviste, duke mbajtur larg gjuhën e ashpër politike, por edhe thirrjet e militantëve apo demonstrimet që nuk sjellin asgjë të mirë përveç tensionit. Dhe përgjatë kohës kur fliste Kryeministri nuk u dëgjua brohoritma militantësh, siç dëgjoheshin kur fliste kreu i PS-së. Gjithsesi duhet përshëndetur mënyra se si u prit dje rezultati nga të dyja forcat politike, duke dhënë një mesazh se në këto zgjedhje në mos tjetër, u përfitua një pjekuri politike nga të dy krahët, duke përçuar në një farë mënyre mesazh qetësie, pasi dita e zgjedhjeve duhet të jetë më së pari e qytetarëve e më pas e politikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›