Ristani: Për dy tre ditë do kemi dhe fituesit
09/05/2011 Rezultati i zgjedhjeve pritet të shpallet brenda dy tre ditëve të ardhshme, në rast se procesi i numërimit nuk do ketë probleme. Lajmi u bë i ditur nga vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili në një prononcim të orës së parë të mëngjesit të sotëm ku u ndal gjerësisht mbi ecurinë e mëtejshme të procesit të numërimit të votave. “Sa i përket afatit të shpalljes kjo vjen falë sistemit të numërimit dhe mbledhjes së kutive të votimit. Pra, kemi të bëjmë me një vonesë, e cila shkaktohet nga komisionet e numërimit, ku çështja e mosbesimit mes komisionerëve shkakton ndërprerje të herëpashershme të numërimit të votave. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm në këtë vonesë është dhe prezenca e një grupi të madh vëzhguesish, të cilët edhe aktualisht ndodhen në qendrat e numërimit të votave”, – u shpreh kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Gjithashtu, Ristani u shpreh i sigurt se dhe procesi i numërimit do shkojë po aq mirë sa dhe procesi i votimit. Sa i përket aktivitetit të djeshëm duhet theksuar roli i KQZ-së në mbledhjet e djeshme duke i dhënë zgjidhje të shpejtë të problemeve të paraqitura në disa zona të ndryshme të vendit, ku nuk u vu re përdorimi i vulave rezervë në komisionet e votimit.