E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon pa marrëveshje raundi i shtatë i bisedimeve Kosovë-Serbi

21-03-2013 / Gazeta 55

Maratonë bisedimesh mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në prani të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Zhbogar: Më 2 prill do të ketë marrëveshje

Ka përfunduar pa marrëveshje raundi i shtatë i bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, si Hashim Thaçi, ashtu edhe Ivica Daçiç, kanë thënë se ka pasur progres. Për herë të parë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Daçiç, së bashku me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, kanë dalë në konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve.
Bisedimet kanë zgjatur rreth 12 orë dhe janë zhvilluar me pushime të shkurtra.
“Kemi pasur një takim të radhës. Vlerësime për të dy kryeministrat që kanë qenë të pranishëm gjatë ditës së sotme. Nuk ka qenë e lehtë të arrinim deri këtu. Është pikëpamja ime se jemi shume pranë arritjes se një marrëveshje. Qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve Kosove-Serbi. Ky është një moment konsultimesh te rëndësishme, kemi punuar jo pak dhe në terren për marrëveshjet. Është çasti që ato të zbatohen. U kam thënë 2 kryeministrave se nuk ka pasur mënyrë më të mirë se të kaloja ditëlindjen me ta”.
Thaçi dhe Daçiç kanë thënë po ashtu se ka pasur progres. Kanë pranuar se ka qenë një ditë e gjatë diskutimesh për çështje të ndjeshme dhe të vështira.
“Falënderoj baroneshën Ashton për mbështetjen e saj dhe qe kaloi ditëlindjen me ne. Kjo ka qene një dite shume e vështirë. Edhe në të kaluarën kemi pasur diskutime të vështira, por sot jemi fokusuar tek disa pika për të cilat në të kaluarën e kemi pasur të pamundur te gjejmë kompromis. Duhet hapësirë për te respektuar mendimet e dy palëve. Megjithatë nuk jemi shume afër arritjes se një marrëveshjeje, pasi mendimet mund te ndryshojnë.
Ne nuk duam të bëjmë asnjë blerje, asnjë lojë as me Brukselin dhe as me përfaqësuesit e Kosovës. Por ne duhet të zgjidhim problemet dhe tu lejojmë serbëve që të jetojnë si në çdo vend të botës”.
E në fund Thaçi ka kujtuar dhe njëherë përkushtimin e Kosovës për arritjen e marrëveshjes:
“Kemi pasur gjate dites takim jo te lehte. Takimi eshte zhvilluar ne nje atmosferë konstruktive. Është arritur progres i konsiderueshëm. Nuk theme qe jemi larg apo afer marrëveshjes por jemi ne rruge te drejte,. Prandaj te ecim drejt marrëveshjes per normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi dhe në veri të Mitrovicës, që të kemi lëvizje të lirë, rend, zhvillim dhe demokraci. Kosova është e përkushtuar per arritjen e kesaj marrëveshje. Ne kemi humbur shume kohe gjate gati një shekulli armiqësi dhe konfrontim. Tani besoj se po hapet kapitull bashkëpunimi fqinjësie te mire dhe bashkëpunimi për krejt rajonin. Ne kemi arritur ne këta gjashte muaj suksese te paimagjinueshme me pare. Marrëveshja për normalizimin nënkupton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Jemi optimiste për arritjen e saj. Kosova do të jetë konstruktive dhe e përgjegjshme në këtë proces”.

Zhbogar: Më 2 prill do të ketë marrëveshje
Më 2 prill do të ketë marrëveshje për çështjet e trajtuara deri tashti në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga BE-ja. Kështu ka deklaruar përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, të enjten, në Han të Elezit. "Po, do të ketë marrëveshje. Nuk kam qenë në Bruksel të mërkurën, por në takimin e radhës do të jem atje. Me sa e kam kuptuar, do të ketë marrëveshje më 2 prill", u ka thënë gazetarëve Zhbogar, pas takimit me kreun e Komunës të Hanit të Elezit, Rufki Suma, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore”. Zhbogar ka deklaruar se marrëveshja që pritet të arrihet do të jetë fitore për të dyja palët në dialog. "Marrëveshje e qëndrueshme është ajo kur të dyja palët janë fitues", ka thënë ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›