E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arsimi, leva kryesore e punësimit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit”

21-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron gjimnazin “Isa Boletini” në komunën Paskuqan, në Tiranë, me një investim me vlerë 180 milionë lekë: “Në krye të katër viteve rrogat e mësuesve do të jenë 700 dollarë”
 
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje gjimnazin “Isa Boletini” në komunën Paskuqan, në Tiranë, një investim me vlerë 180 milionë lekë dhe i realizuar në kuadër të programit Cilësi dhe Barazi në Arsim (CBA). Ky projekt është financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës dhe Banka Evropiane e Investimeve.
Kryeministri Berisha i uroi nxënësit dhe mësuesit për shkollën e re, ndërsa theksoi se fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë në shkollat më moderne.
Kryeministri tha se arsimi ka qenë përparësia më madhore e kësaj qeverie dhe po ecet me shpejtësi drejt vendosjes së Shqipërisë në shinat e dijes, pasi vetëm Shqipëria e dijes do mund të ketë ekonominë e vendeve të zhvilluara dhe do mund të jetë një vend i zhvilluar. Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se në krye të katër viteve rrogat e mësuesve do të jenë 700 dollarë. “Arritjet e deritanishme janë shumë inkurajuese, por përsëri një rrugë jo të thjeshtë kemi përpara. Investime shumë më të mëdha do të bëjmë në katër vitet që vijnë në arsimin e përgjithshëm, në arsimin profesional, në arsimin universitar. Ne do të bëjmë gjithçka që ata që mbarojnë shkollat të kenë mundësinë e kualifikimit, të trajnimit të vazhdueshëm në çdo degë që ata duan. Ne do të bëjmë gjithçka që ata të paguhen më mirë për punën që do të bëjnë. Ne u premtojmë mësuesve se në krye të katër viteve rrogat e tyre do të jenë 700 dollarë. Ne do t’i rrisim ato dhe ne kemi në axhendën tonë përparësi madhore mësuesen dhe mësuesin, sepse kemi bindjen më të thellë se çdo qindarkë e investuar në arsim, e investuar për kualifikimin e mësuesve, për përgatitjen e tyre është investim i sigurt për të ardhmen tonë. Ne kemi bindjen se arsimi është dhe do të mbetet leva më kryesore në punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin e këtij vendi. Vetëm një shoqëri e shkolluar do të mund të marrë investimet më të mëdha vendase dhe të huaja; do të mund t’i përshtatet me shpejtësi kërkesave të tregut të punës, vetëm një shoqëri e shkolluar do të mund të krijojë vlera më të mëdha në ekonominë e vendit se çdo shoqëri tjetër.
Në katër vitet që lëmë pas arsimi, i cili po rrokullisej në një degradim të vërtetë, ka një ndryshim rrënjësor. Mësuesit sot paguhet 120-140 për qind më shumë. Askush nuk largohet më nga sistemi arsimor. Shkollat, në të katër anët e vendit, janë pajisur me internet. Nga 40 shkolla që kishin internet më parë, sot të gjitha shkollat vendit kanë internet. Në katër vitet që vijnë, ne jemi të vendosur që jo çdo shkollë, por çdo klasë të ketë internet; jemi të vendosur që çdo shkollë të ketë laboratorët më modernë; jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të rritur numrin e nxënësve në arsimin profesional; jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbajtur nivelet më të larta të ndjekjes së shkollave të mesme dhe shkollave të larta”, u shpreh Berisha. 
Kryeministri theksoi se arritjet e deritanishme janë shumë inkurajuese dhe se investime shumë më të mëdha do të bëhen në katër vitet që vijnë në arsimin e përgjithshëm, në arsimin profesional dhe atë universitar.
Kryeministri mbylli urimin me premtimin se Paskuqani do shndërrohet në një nga qytetet më moderne të vendit.
Gjimnazi “Isa Boletini” ka një kapacitet për 1400 nxënës dhe ofron për ta mjedise mësimore e sportive të një niveli të lartë bashkëkohor. Shkolla ka 24 klasa, 4 laboratorë (informatikë, fizikë, kimi, biologji), bibliotekë, palestër moderne të mbyllur, si edhe mjedise të tjera ndihmëse. Investimet e qeverisë në komunën e Paskuqanit, për periudhën 2006-2013, arrijnë shifrën 1.8 miliardë lekë dhe përfshijnë sektorë të ndryshëm, si infrastruktura, shëndetësia, arsimi, ujësjellës - kanalizime, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›