Përfundon pa të lënduar protesta në Mitrovicë, policia kontrollon situatën Vendi ku ndodhi përplasja e protuestuesve në urën e Mitrovicës

Ka përfunduar pa të lënduar protesta e mbajtur sot në Mitrovicë me moton e ruajtjes së sovranitetit dhe kundër zgjedhjeve paralele serbe në Kosovë. Rreth orës 14 gjithçka ka marrë fund, kurse policia e Kosovës, e EULEX-it dhe KFOR- ende vazhdojnë të mbikëqyrin situatën. Situata ishte tensionuar më herët kur një pjesë e protestuesve ishte nisur drejt urës së Ibrit në drejtim të veriut të qytetit të banuar me shumicë serbe. Pjesëtarët e policisë speciale të EULEX-it dhe KFOR-i janë barrikaduar mbi urën e lumit Ibër, pas provokimit nga ana e serbëve të cilët kanë hedhur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të shqiptarëve. Policia e Kosovës është vendosur në të dyja anët e lumit Ibër, në përpjekje për të qetësuar turmat e shqiptarëve dhe serbëve. Për shkak të tensionimit të situatës pas provokimit të serbëve, njësia speciale e Policisë së Kosovës është detyruar të përdorë gazin lotsjellës.