E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon rehabilitimi i sheshit “Ataturk” në Tiranë

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Presidenti i Çalik Holding për Evropën Juglindore, Orhan Coskun, drejtorët e përgjithshëm të Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT, si dhe Zëvendës Ambasadorja e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Asli Umar.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rama ka shprehur falënderimin për kompanitë e grupit Çalik: Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT për mbështetjen që u kanë dhënë projekteve të ndryshme të bashkisë dhe në veçanti rehabilitimit të këtij sheshi. 

“Ky shesh i standardeve evropiane do të shërbejë më së miri për qytetarët e Tiranës, banorët e kësaj zone si dhe këmbësorët, ”- shtoi Rama. Në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë, znj. Umar ka falënderuar Bashkinë e Tiranës si për emrin që i kanë vendosur këtij sheshi, ashtu dhe për përkujdesjen që i ka kushtuar rikualifikimit dhe gjelbërimit të sheshit “Ataturk” që dikur njihej me emrin “21 Dhjetori”.

Tre kompanitë e grupit Çalik në Shqipëri kanë kontribuar me projekte të ndryshme sociale në kryeqytet dhe rrethe të tjera të vendit, ku mund të përmendet ndihma prej 200.000 euro për banorët e prekur nga përmbytjet e Shkodrës dhe Lezhës. Eagle Mobile ka bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës që prej vitit 2009, për sa i përket projektit për mbjelljen e pemëve, ndërtimin e parqeve të lodrave për fëmijë dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të ndryshme në Tiranë.

 Së fundmi, Bashkia e Tiranës i akordoi kompanisë  Eagle Mobile çmimin “Personaliteti i Vitit 2010” për mbështetjen e dhënë në mbrojtjen e mjedisit në kryeqytet. Eagle Mobile pritet të shpallë prioritetin e vitit 2011, ndërkohë që në vitin 2010 prioriteti  i kompanisë ishte mbrojtja e mjedisit nën sloganin “Një me Natyrën”.

                                                                                             2011-01-11 08:53
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›