E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Dik Martit, lëvizje e ngadaltë në Tiranë

Gjithsesi, më 25 janar pritet të mblidhet Asambleja e KiE-së, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Sali Berisha, i cili do të mbajë edhe një fjalim, ku temë qendrore me shumë gjasa do të jetë kundërshtimi i raportit të zviceranit Dik Marti.

Gjatë ditës së sotme, në ambientet e kryesisë së Kuvendit pritet të mblidhet delegacioni shqiptar në KiE për të diskutuar mbi qëndrimin që do të mbahet atje. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar se do të bashkëpunojë me maxhorancën për rastin në fjalë, për të kundërshtuar njëzëri raportin që përbalt luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në raport flitet për trafikim të organeve njerëzore, ku akuzohet UÇK-ja se ka trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës.

Pr/rezoluta e Dik Martit u miratua më 16 dhjetor në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë Komision, deputeti Shpëtim Idrizi mungoi në mbledhje, për shkak se sipas tij, ai nuk ishte vënë në dijeni nga sekretari e këtij Komisioni.

Por, pas miratimit të kësaj rezolute, Tiranës i duhet të bëjë përgatitje të mira për t’u përballur në mbledhjen që nis më 24 janar, ku detyrimisht duhet të propozohet një tjetër rezolutë për të hedhur poshtë atë të Martit. Për t’ia arritur këtij qëllimi, delegacioni shqiptar do të duhet të lobojë në 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-11 09:04
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›