E Diel, 1 Nëntor 2026

Perfundon rikonstruksioni i rrugeve Viktor Hygo Hajdar Hidi si dhe rikualifikimi urban i bllokut nr 53

Ka përfunduar rikonstruksioni i rrugëve, Viktor Hygo” në njësinë bashkiake nr.7,  “Hajdar Hidi” në njësinë bashkiake 10, si dhe rikualifikimi urban i bllokut nr. 53 në njësinë bashkiake 9.  Kryebashkiaku Basha gjatë inspektimit të këtyre punimeve garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë punën në përkushtimin e saj ndaj qytetarëve.  Ndërkohë Basha garantoi se deri në 30 shtator, përfundon procesi i legalizimit në Tiranë. 
Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut 53, në njësinë bashkiake nr. 9, me sipërfaqe prej 4.5 ha. Në këtë bllok janë ndërtuar të gjithë rrugët përbërëse të tij, si rruga “Shahin Matraku”, “Petrit Caslli”, “Reshat Konç”, ”Ndrec Ndue Gjoka” dhe  rruga “Visha”. Me një investim prej 18 milionë lekësh është ndërtuar ujësjellësi, kanalizimet e ujrave të bardha, është përmirësuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, duke bërë të gjithë lidhjet e banesave. Janë vendosur shtylla elektrike për ndriçimin rrugor, janë zhvendosur 25 shtylla të cilat ndodheshin në mes të rrugëve. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar këtë investim i cili shtrihet në një bllok të ri banimi, si vepër e përkushtimit ndaj qytetarëve.  “Përkushtimi ndaj qytetarëve nuk tregohet me fjalë por tregohet me vepra. Jam shumë i kënaqur që sot ndodhemi në inaugurimin e përfundimit të  punimeve për një bllok prej 4.5 ha që u shërben 4 mijë banorëve të një zone të ndërtuar vitet e fundit, të lënë tërësisht në harresë dhe pa asnjë investim për më shumë se 15 vjet. Kjo është natyrisht një provë e qartë e përkushtimit tonë, për të shtrirë investimet në çdo cep të qytetit të Tiranës”- u shpreh Basha. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar banorët, se brenda datës 30 shtator do të mbyllet edhe procesi i legalizimit, proces në të cilin ka marrë së fundmi përgjegjësitë e saj edhe Bashkia. “Dua të garantoj banorët e kësaj zone, që ashtu siç flasim sot me vepra dhe me fjalë dhe nxjerrim harresën dhe përbuzjen për infrastrukturën që ata gëzojnë sot, po kështu ne do të flasim me vepra e jo me fjalë dhe brenda datës 30 shtator në këtë lagje të Tiranës dhe kudo në Tiranë do të mbyllim procesin e legalizimit, duke sjellë tapitë në shtëpitë e qytetarëve. Nuk ka vend për komentet të tepërta, qytetarët kanë kohë që nuk e hanë më sapunin për djathë, veprat flasin, fjalët i merr era edhe kur i shkruajnë  në copa letrash” – deklaroi Basha.

Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Viktor Hygo”, në njësinë bashkiake nr.7  Bashkia  e Tiranës ka përfunduar  rikonstruksionin e plotë të rrugës “Viktor Hygo”, në njësinë bashkiake nr. 7. Është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha  dhe të zeza , trotuare, ndriçimi rrugor, gjelbërimi dhe sinjalistika horizontale e vertikale. Kryebashkiaku Basha u ka premtuar qytetarëve, se brenda pak muajsh nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut.   “Investimet janë shtrirë dhe do të vazhdojnë të shtrihen kudo ku ka nevojë qyteti, kudo ku kanë nevojë qytetarët dhe provë e qartë është investimi që ne bëmë në këtë rrugë mu në zemër të Tiranës, por të lënë tërësisht pas dore prej dekada. Siguroj këta banorë, se investimi që është përfunduar sot është vetëm fillimi i rehabilitimit total të bllokut që nis brenda pak muajsh, me buxhetin e vitit 2013”
Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Hajdar Hidi”, në njësinë 10   Një tjetër rrugë e rindërtuar i është shtuar kryeqytetit. Me një investim prej 10.3 milionë lekësh ka përfunduar rruga “Hajdar Hidi”  e cila ndodhet në qendër të Tiranës dhe lidh rrugën “Myslym Shyri”  me rrugën e  “Kavajës”. Në këtë rrugë që shtrihet në njësinë bashkiake numër 10 është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujësjellësit,  ujërave të bardha etj. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha e ka konsideruar këtë, si një tjetër premtim të mbajtur dhe gur prove për punët e tjera që e presin Bashkinë.   “Përfundimi i rrugës “Hajdar Hidi” në qendër të Tiranës, nga njëra anë na jep një kënaqësi të thellë sikundër gjithë banorëve, nga ana tjetër na kujton se sa punë të mëdha dhe të vështira ka ky qytet, për shkak të një harrese që shtrihet nga këtu, zemra e Tiranës e deri në periferitë e skajshme të qytetit, ndaj le të mbetet një premtim i mbajtur por edhe një gur prove për punët e tjera që kemi nisur t’i realizojmë në këtë lagje dhe në të gjithë lagjet e Tiranës” – deklaroi z. Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›