E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët Hill dhe Petritsch shpallen doktor 'Honoris Causa'

PRISHTINË-Diplomatët Christopher Hill dhe Wolfgang Petritsch, të cilët kishin angazhime në Kosovë në kohën e luftës, në një ceremoni sot në Universitetin e Prishtinës, "Hasan Prishtina" u shpallën Doktor 'Honoris Causa', për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për paqen, lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryeministri Thaçi tha se, "ju ndër të parët u njohët nga afër me gjendjen në terren, me djegiet, shkatërrimet, shpërnguljet dhe krimet e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë së Millosheviçit".

"Është meritë e juaja formësimi i idesë së bashkimit të spektrit politik shqiptar për të pasur një zë të bashkuar, një përfaqësim real të forcave politike të Kosovës", u shpreh kryeministri Thaçi duke vlerësuar ambasadorët Hill dhe Petritsch.

Ai theksoi se, "koha vërtetoi se çlirimi i Kosovës ishte akt historic. Koha vërtetoi po ashtu se Pavarësia e Kosovës ishte akt i drejtë juridik në plan kombëtar dhe atë ndërkombëtar, që prodhon stabilitet dhe fqinjësi të mirë".

"Serbia pranon hapur se e njeh realitetin në Kosovë, ndërsa se kur do të ndodhë njohja edhe 'de jure', natyrisht kjo është në autoritetin e institucioneve të Serbisë", u shpreh kryeministri Thaçi.

Kreu i qeverisë kosovare tha se, "edhe Marrëveshja e 19 prillit është drejtpërdrejt kontribut i jashtëzakonshëm i udhëheqjes së Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton dhe mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo Marrëveshje për Kosovën dhe për krejt rajonin, është marrëveshje evropiane, marrëveshje për rajonin pa kufi, për rajonin demokratizues, për rajonin euroatlantik. Prandaj, them me bindje të plotë se ne do të lëvizim përpara, do të kemi sukses, do ta konsolidojmë shtetin, do ta ndërtojmë shoqërinë shumetnike", tha Thaçi.

Dy ambasadorët, u shprehën të nderuar dhe krenarë që u shpërblyen me titullin Doktor 'Honoris Causa' nga Universiteti i Prishtinës, "Hasan Prishtina", ndërsa theksuan se tashmë për Kosovën dhe Serbinë ekzistojnë mundësitë për të ndërtuar shoqëri demokratike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›