E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perfundon rindertimi i rruges Ilia Dilo Sheperi

Banorëve të njësisë bashkiake nr. 5 u është shtuar sot një rrugë tërësisht e rindërtuar. Me një investim prej 40.4 milionë lekësh, akorduar nga Bashkia e Tiranës janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, ndriçim, gjelbërim, ndërsa është paraprirë nga ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Selitës.

Rruga me gjatësi rreth 600 metra ka një gjerësi 6 metra dhe në të dy anët e rrugës, trotuarë. Kjo rrugë lidh dy zona të rëndësishme dhe me impakt në reduktimin e trafikut, Selitën me segmentin e ri të Unazës së Madhe. Një element të rëndësishëm që Bashkia e Tiranës ka sjellë përgjatë kësaj rruge dhe do ta implementojë në të gjithë Tiranën, është zëvendësimi i mureve rrethuese të shtëpive me kangjella.

Kryebashkiaku Basha nënvizoi se rrugë të tilla po ndërtohen në të gjithë Tiranën, për të përmirësuar sa më shumë jetën e banorëve. Sipas Kryebashkiakut, Bashkia sot ka zgjedhur t’u shërbejë qytetarëve, pasi vetë qytetarët më 8 maj e refuzuan Bashkinë si repart politik dhe zgjodhën bashkinë që do u shërbejë atyre.

“Kjo është një zgjedhje që Bashkia e Tiranës ka bërë, pikë së pari një zgjedhje për t’u shërbyer qytetarëve, për t’u shërbyer atyre kudo ku jetojnë është një zgjedhje e ndërgjegjshme për ta zhvendosur Bashkinë e Tiranës nga një “repart politik”, siç ishte deri më 8 maj në njësi shërbimi ndaj qytetarëve. Kjo zgjedhje është e mundur, sepse qytetarët zgjodhën vetë që Bashkinë e Tiranës ta kenë për veten e tyre dhe jo për axhendat politike .Duke u kujtuar banorëve të kësaj zone se produkti që shohim sot është një zgjedhje dhe jo një rastësi, uroj që qytetarët e Tiranës sa herë të gjenden para mundësisë për të zgjedhur, të zgjedhin më të mirën për veten e tyre dhe të mos gabohen nga fjalët, por të shikojnë veprat” – theksoi kreu i Bashkisë z.Lulzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›