Përfundon rindërtimi i rrugës së “Dibrës”. Basha: Po ecim në rrugën e sigurt të ndërtimit të Tiranës. Berisha: Tirana nuk mashtrohet me aheng – legalizimet brenda vitit
Pas 15 vjetësh, rruga e “Dibrës”, një nga arteriet kryesore të Tiranës rindërtohet tërësisht. Me një investim prej 98 milionë lekësh është ndërtuar sistemi i kanalizimeve, ujësjellësit, janë vendosur 112 copë ndriçues rrugorë, janë mbjellë 350 fidanë të llojit bli, vende parkimi për automjete, korsi për biçikleta, etj.
Përgjatë gjithë rrugës janë zhvendosur kabllot ajrorë. Në ceremoninë e përfundimit të punimeve në këtë rrugë ishin të pranishëm: Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha Kryeministri Sali Berisha, nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Kryebashkiaku Basha e ka cilësuar punën që po kryhet në Tiranë, rezultat të kthimit të Bashkisë në njësi shërbimi ndaj qytetarit dhe refuzimit të konfliktit politik.
“Ne jemi njerëzit e punës dhe jo të fjalëve, jemi njerëzit e përgjegjësisë e jo të justifikimeve. Ne jemi njerëzit që i trajtojmë qytetarët të barabartë dhe nuk i diskriminojmë ata, ndaj më 23 qershor qytetarët e kësaj zone, gjithë qytetarët e Tiranës do të kenë përsëri mundësinë që me votën e tyre të konsolidojnë këtë model zhvillimi i cili po funksionon dhe do të vazhdojë të funksionojë për çdo qytetar të Tiranës. Ky model ka filluar të prodhojë rezultate këtu në rrugën e “Dibrës” dhe në të dy anët e kësaj rruge. Banorët e vjetër të kësaj zone po prekin përmirësimin e shpejtë të infrastrukturës. Ju premtoj se është vetëm fillimi dhe se së bashku me kryeministrin Berisha, Tirana e qytetarët e saj do të bëjnë të mundur që në dy vitet e ardhshme, jo vetëm të kemi mbyllur plagët e hapura që na la për dekada me radhë, vënia e qytetarit të fundit dhe vënia e konfliktit politik të parin por do të ecim me shpejtësi, për ta bërë Tiranën një qytet të lakmueshëm të përmasave evropiane në Ballkan e më gjerë. Ftesa ime sot për të gjithë bashkëqytetarët e kësaj zone dhe të gjithë qytetit të Tiranës është: Të mos kthehemi pas por të ecim përpara në rrugën e zhvillimit, mirëqenies, punësimit, në rrugën e sigurt të Tiranës moderne dhe evropiane!” - u shpreh z. Basha.
Për kryeministrin Berisha, rindërtimi i rrugës së “Dibrës” është vetëm një ndër veprat, me të cilat Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha po ndryshon Tiranën.
“Ne jemi shumë krenarë për mbështetjen tuaj. Ju jemi shumë mirënjohës për këtë mbështetje, e cila hapi një kapitull të ri për Tiranën e shekullit XXI. Plani urbanistik është i bazuar në drejtësi sociale, në zhvillimin e pronës, në qëndrimin e barabartë para qytetarëve pronarë të Tiranës. Plani është kushtetuta që do të zbatohet dhe që i dha fund njëherë e mirë sekserëve, i dha fund njëherë e mirë pronarëve të ndëshkuar për qëllime kryekëput klasore. Unë i them zotit Rama, se me nostalgji dhe aheng bashkë nuk mashtron dot Tiranën. Në qoftë se në 11 vjet ka pasur qytetarë të ndëshkuar për sa i përket pronës, kanë qenë qytetarët e Tiranës. Dhe ke qene ti zoti Rama, që ndoqe këtë politikë!” – theksoi kryeministri Berisha.