E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat nxirren jashtë KQZ-së, raportim në çadra ditën e zgjedhjeve

cadrat-kqzTiranë- Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në këto 23 vjet, raportimi i mediave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e 23 qershorit, por edhe në ditët pasuese, është menduar të bëhet nga jashtë institucionit.

KQZ-ja ka gjetur një mënyrë sa origjinale po aq edhe unike për raportimin mediatik, pikërisht nga disa çadra që janë vendosur tashmë jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nxjerrja e medias jashtë KQZ-së dhe raportimi nga çadrat, përvec temperaturave të larta në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, vështirëson transmetimet edhe teknikisht.

Kjo, pasi raportimi nga KQZ-ja do të bëhet nga dy ambjente të ndryshme, nga çadrat jashtë dhe brenda nga salla në momentet që KQZ-ja ka mbledhje. 

Në kuadër të angazhimit të plotë që KQZ-ja shprehu se ka ndaj plotësimit të detyrimeve për transparencë ndaj përfaqësuesve të medias, është menduar që edhe informacioni nga sistemi i të dhënave nga Vendet e Numërimit të Votave, që përbën edhe interesin më të madh mediatik në ditët e zgjedhjeve, të jetë i aksesueshëm përmes një ekrani të vendosur jashtë. 

Vendimi për ti nxjerrë mediat në çadra, nga sqarimet zyrtare ka si shkak vetëm atë se holli i KQZ-së nga ku është raportuar për një seri proçesesh zgjedhore, papritmas rezulton të jetë i papërshtatshëm.

Vendimi shkaktoi kundërshtimin e gazetarëve, pas të cilit kryetarja e KQZ-së Lefterije Lleshi u deklarua e hapur për ta diskutuar me përfaqësuesit e mediave.

Ndërkaq, çadrat janë ngritur tashmë dhe madje është porositur edhe tapiceria për veshjen e dyshemesë së tyre. Por për shkak se ajo kishte ngjyrën vjollcë, tapiceria nuk është pranuar nga administrata e KQZ-së, duke u kthyer mbrapsht për ndërrim ngjyre.

Burimi: Top-Channel

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›