E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria-Rusi, marrëveshje në luftën kundër drogës

TIRANË - Shqipëria dhe Rusia nga sot do të bashkëpunojnë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, forcimin e kuadrit ligjor në këtë fushë, sjelljen e eksperiencave më të mira, si dhe shkëmbimin e informacioneve të ndërsjellta për zbulimin, lokalizimin dhe shkatërrimin e burimeve të drogës.

Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua të premten në Tiranë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtori i Antidrogës ruse,Viktor Ivanov.

“Marrëveshja e nënshkruar sot është dëshmia e vullneti të përbashkët politik të dy vendeve, për t'u angazhuar në luftën kundër trafikut të drogës, që është një e keqe për jetën e qytetarëve të dy vendeve, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë", u shpreh ministri Nishani pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Duke vlerësuar të rëndësishme bashkëpunimin që Shqipëria ka me agjencitë e vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë në luftën kundër këtij fenomeni, Nishani tha se rezultatet e këtij bashkëpunimi janë konkrete
"Vetëm në këto tre vjetët e fundit, ai tha se Shqipëria ka realizuar 31 operacione të përbashkëta me agjenci të vendeve të tjera dhe vetëm në vendin tonë, janë arrestuar 50 persona të përfshirë në trafikun e drogës".
Nishani siguroi gjithashtu se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej, pasi është në interes të të gjitha vendeve dhe përballë kësaj sfide, i rëndësishem mbetet bashkëpunimi mes agjencive përkatëse për shkëmbimin e informacioneve, identifikimin dhe asgjesimin e grupeve kriminale, si një kontribut i rëndësishëm për qytetarët e dy vendeve edhe më gjerë, pasi trafiku i drogës nuk njeh kufi.

Nishani bëri të ditur gjithashtu se e njohu kreun e Antidrogës ruse me arritjet dhe sfidat me të cilat po përballet Shqipëria në luftën kundër këtij fenomeni, arritjet e Policisë në luftën kundër krimit të organizuar, veçanëriasht trafikut të lëndëve narkotike, si dhe goditjes dhe shkatërrimit të grupeve kriminale në këtë fushë.
Nga ana e tij, kreu i Antidrogës ruse, Ivanov, vlerësoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka krijuar tashmë një bazë të re ligjore mes dy vendeve dhe përputhet më së miri me iniciativën e Federatës Ruse për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për luftën ndaj këtij fenomeni.

“Rusia synon krijimin e një zone te sigurte në pjesën perëndimore të globit, duke shfrytezuar eksperiencat e mira të saj në luftën kundër trafikut të drogës, pasi kërcënimi i kokainës që vjen nga vendet e Amerikës Latine dhe Afganistani, përbën një faktor qe kërkon një bashkëpunim të mirë ndërkombëtar për ta luftuar atë", tha ai.

“Duhet të pranojmë se Shqipëria është një nga vendet e cila ndjen pasojat e këtij trafiku, për shkak të korridorit të trafikut nga Ballkani në Europë, prandaj dhe Rusia është e interesuar që të marri informacionin përkatës nga Shqipëria dhe anasjelltas, duke u nisur gjithmonë nga fakti se trafiku i drogës është një kërcënim i përbashkët për të gjitha vendet", tha Ivanov.

Së fundi ai siguroi se jo vetëm do të ketë kontakte të vazhdueshme dhe shkëmbim informacioni mes dy vendeve, por do të zhvillohen edhe operacione të përbashkëta për zbulimin e zinxhirit të këtij aktiviteti kriminal, do të punohet për forcimin e kuadrit ligjor, shkëmbimin e eksperinecave, apo edhe sigurimin e studimeve për specialistët e fushës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›