Përfundon tryeza e opozitës: "Topi" në zyrën e Topit
Në përfundim të takimit, Spartak Ngjela ka partia “Ligj dhe Drejtësi”, u shpreh se tryeza e sotme ishte një progres, ndërsa ka deklaruar se mbështet tryezën e zhvilluar nga presidenti Topi. Ai ka shtuar se gjatë takimit është diskutuar edhe për një protestë të madhe, duke theksuar se “unë nuk isha dakord për datën e një proteste, pasi kjo mund të shkaktonte probleme për tryezën e zhvilluar me presidencën. Por, u la që kjo datë të diskutohet në një moment tjetër”. Sipas Ngjelës, vetëm nëse dështon tryeza e thirrur nga presidenti, atëherë opozita do të nisë sërish protesta. “Nuk ka bisedë të drejtpërdrejt ditët e ardhshme midis dy liderëve. Por tashmë topi është në zyrën e Topit. I bëj thirrje presidentit të ndikojë për hapjen e kutive”, tha Paskal Milo, nga Partia Demokracia Sociale. “Presidenti i Republikës do të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të respektojë opozitën dhe të drejtën e saj kushtetuese”, tha më tej Milo.