E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza te Topi, fjala e plotë e Ramës

E
sqarova zotin Berisha se ne nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me
ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes
hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura
që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje

Tiranë, 13 Shkurt NOA Pas tre orësh bisedime
që patën mes tyre Berisha, Topi dhe Rama, ky i fundit lëshoi një deklaratë për
mediat ku qartësoi se kushti paraprak për hapjen e kutive, do të vijojë të mbesë
në fuqi.

Më poshtë, ndiqni të zbardhur të plotë deklaratën
e Kryetarit të PS, Edi Rama, pas tryezës së Topit:

Dua të falënderoj popullin opozitar, aleatët
tanë tradicionalë e të rinj, deputetët dhe drejtuesit e Partisë Socialiste,
padyshim miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për mbështetjen e kauzës
historike të transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve në
Shqipëri, në këtë moment kyç për fatet e vendit.

Falënderoj po ashtu komunitetin ndërkombëtar
për angazhimin serioz e parimor në nxitjen e dialogut për daljen nga kriza dhe në
mundësimin e tryezës së sotme mes palëve.

I shpreh konsideratën time më të lartë edhe
Presidentit të Republikës për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë
përpjekje për të zgjidhur një krizë që sipas bindjes sonë të palëkundur i ka
rrënjët tek deformimi i vullnetit të popullit para, gjatë, e pas 28 qershorit
dhe pa asnjë dyshim, tek pengimi i paligjshëm nga qeveria i transparencës së
plotë të zgjedhjeve.

Me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur
të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit që nga ana ime jam
plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo
anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës
së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara për të çliruar njëherë e
mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral. Kjo do të
thotë se, ashtu sikundër iu bë e qartë edhe bashkëbiseduesit, lënia e kutive të
28 qershorit jashtë objektit të hetimit parlamentar që kërkojmë qysh në krye të
herës, do të ishte shkelje e patolerueshme e parimit që na udhëheq në
përpjekjen tonë, dorëzim i pajustifikueshëm i së drejtës sonë kushtetuese e
ligjore për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e kutive të votimit,
pranim i palejueshëm i faktit se Shqipëria edhe nesër do të bëjë zgjedhje po
kaq të papranueshme sa dje.

Sigurisht që kjo është një çështje vullneti
politik e jo interpretimesh subjektive të të drejtave e lirive tona
kushtetuese, të cilat jemi plotësisht të vendosur ti bëjmë themel të
zgjedhjeve në Shqipëri jo në favorin tonë, po në interes të të gjitha palëve e
në radhë të parë të popullit shqiptar.

E sqarova zotin Berisha se ne nuk kemi punë as
me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin
e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë
autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga
e njëjta sëmundje.

Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe
transparent me shqiptarët, të cilët i kishin të gjithë sytë tek tryeza e
takimit të sotëm. Unë nuk shkova në atë tryezë për një pazar, por për një
parim. Nuk shkova në atë tryezë për të mundur kundërshtarin politik, po për ta
ftuar që së bashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve duke
e ndarë përgjithmonë Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të
deformuara e të kontestuara. Nuk shkova në atë tryezë për të kryer një
formalitet të quajtur dialog, po për të nxjerrë vendin nga kriza përmes
dialogut.

Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të
gjitha energjitë e pasionin tim për tia dalë, por siç ia thashë hapur e shumë
sinqerisht zotit Berisha nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e
dialogut në pafundësi. Jo sepse unë skam durim, përkundrazi, por sepse
thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij
vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve, -
përfundon deklarata e z.Rama.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›