Tryeza te Topi, fjala e plotë e Berishës

Gjykata
e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije
vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula. Unë nuk kam akuzuar zotin Rama
se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike
nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim
Tiranë, 13 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha
pas tryezës së mbajtur në Presidencë, foli për publikun duke pohuar se qeveria
nuk do të ulet përballë kërkesës së përsëritur të Ramës për hapje kutish.
Më poshtë ndiqni të zbardhur të plotë
deklarimin e Berishës:
Dua të falënderoj Presidentin e Republikës
për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një
përpjekje pozitive dhe serioze. Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve
dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të
eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në Rezolutën
e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar
të OSBE / ODIHR it. Sikundër ne jemi dakord për të plotësuar të gjitha
kërkesat e Rezolutës Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit
përfundimtar të OSBE / ODIHR it mbi zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë
vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e
angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim
të rezultatit apo numërim të parregullt.
Po në këtë konteskt, në kuadër të rezolutës së
KiE dhe raportit përfundimtar të OSBE / ODIHR it, koalicioni qeveritar i ofron
zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e
vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do ti votojë ato.
Sikundër jemi të gatshëm të ngrejmë komisionin
hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të
gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga
kuorumi i tij.
Gjithashtu, unë garantova Presidentin e Republikës
dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme,
për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe
Partisë Socialiste.
Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama
të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe
opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do ti
trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive.
Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet
zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga
ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit.
Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje
që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini
se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe
Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e
fundit. Por unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato
kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e
të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar ti pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe
për Partinë Socialiste.
Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm
kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur
poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e
Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi
i votave mund te behet vetëm në raste kur ka kundërshtime gjatë procesit të
numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa
kundërshtime gjatë numërimit të tyre.
Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të
pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e
votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një ( për arsye se njërën vulë e mori
komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë
ditën).
Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë
Socialiste.
Natyrisht këtë vendim PS e pranon por ajo nuk
pranon vendimin tjetër me të cilin Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e saj
për rinumërim të votave.
Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti
mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e
Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim.
Çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka
hedhur poshtë gjykata janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes
saj dhe Partisë Demokratike.
Duke respektuar këto parime mendoj se çdo çështje
tjetër mund të zgjidhet.
Unë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se ne
mbetemi të vendosur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një rezultat pozitiv
të dialogut, - përfundoi deklarata e Berishës pas tryezës me Ramën te Topi.
e.r/NOA