Tryeza Berisha-Rama, fjala e plotë e Topit

Duhet
të jemi koshientë që i gjithë background-i i këtyre marrëdhënieve, në një
kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në
përfundime ekstremisht pozitive. Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që
është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një
komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi
shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë
realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme
Tiranë, 13 Shkurt NOA - Presidenti i
Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi drejtoi sot tryezën politike të bisedimeve mes
mazhorancës dhe opozitës ku palët u përfaqësuan me kryeministrin dhe kreu i PD,
Sali Berisha dhe kreu i grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi dhe nga kampi i
mahtë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS,
Gramoz Ruçi.
Më poshtë ndiqni të plotë të zbardhur, deklaratën
për media nga Presidenti i Republikës:
Jam para jush sot, para përfaqësuesve në terren të medias, përpara opinionit
publik shqiptar për të komunikuar rreth tryezës së zhvilluar sot midis
Kryeministrit, z. Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar
të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi dhe Kryetarit të opozitës, z. Edi
Rama, i cili shoqërohej nga Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, z.
Gramoz Ruçi. Që në fillim dëshiroj të falënderoj Kryeministrin dhe Kryetarin e
opozitës për respektimin e thirrjes për të ardhur në tryezë në vijim dhe në
respekt të rezolutës së fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të
Evropës. Në të njëjtën kohë dëshiroj të vlerësoj rolin e partnerëve
ndërkombëtarë, të institucioneve ku Shqipëria bën pjesë, në mënyrë të veçantë
Këshillin e Evropës ku Shqipëria është anëtare nga korriku i vitit 1995-së,
përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë, të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, të gjithë ata që kontribuan që të realizohej tryeza
politike e ditës së sotme.
Unë e kuptoj, sikurse e kupton çdo shqiptar, që pritshmëria për këtë takim ka
qenë e lartë, interesi i medias, i opinionit publik, për të parë një rifillim
të dialogut politik të munguar prej kohësh. Unë besoj që momenti më pozitiv i
ditës së sotme është predispozicioni për tu ulur në tryezë, rifillimi i dialogut
politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes mazhorancës dhe
opozitës, e cila ka ditur në vitet e pluralizmit shqiptar të bashkëpunojë, ka
ditur të kalojë traumat e bashkëpunimit dhe jam i bindur që edhe takimi i
sotëm, i cili angazhoi në më shumë se tre orë, në bisedime të hapura, në
bisedime pa komplekse të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, të cilët
diskutuan për opsionet e tyre dhe natyrisht dhanë një element shumë të
rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë. Ky ishte një angazhim reciprok
i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të
rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, natyrisht duke
shprehur edhe pozicionet e tyre specifike.
Duhet të jemi koshientë që i gjithë background-i i këtyre marrëdhënieve, në
një kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në
përfundime ekstremisht pozitive. Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që
është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një
komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi
shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë
realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme. Është substanciale
për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj që ky bashkëpunim të
vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të
cilët në mënyrë të qartë aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë
hap pas hapi në vizionin euroatlantik.
Ne sot ramë dakord që Presidenti të vazhdojë, dhe termi më i gjetur besoj, që
ramë dakord, ishte që të eksplorojë, ndoshta po shkojmë në terma jo shumë
shqiptarë, por të kërkojë konvergjencën, edhe ky është term internacional, i
cili kuptohet nga të gjithë, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të
bashkëpunojnë dhe sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me
elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por
edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të
vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale,
do të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar.
Unë dëshiroj si gjithmonë të mos le pa falënderuar pikërisht median, e cila e
ka ndjekur me shumë vëmendje, jo thjesht takimin e sotëm, por në vazhdimësi,
sepse është pjesë e shtyllave të demokracisë, ushqen, bën debatin politik dhe
mediatik dhe ushqen sugjerimin me informacionin e duhur dhe jam i bindur që
media sikurse ka qenë e angazhuar, edhe do të vazhdojë të angazhohet që dhe
palët të gjejnë zgjidhjet e duhura në funksion të të gjithëve, - përfundoi deklarata
e kryetarit të shtetit.
e.r/NOA