Përgatitet manuali për nxitjen e investimeve në sektorin e mbetjeve

Një manual për Nxitjen e Investimeve në Sektorin e Mbetjeve për të gjitha njësitë e interesuara në këtë drejtim, me qëllim afrimin e këtij sektori me standardet europiane, është hartuar në kuadër të Programit të Investimeve Prioritare Mjedisore për Evropën Juglindore (PEIP). "Manuali bazohet në besimin se mungesa e planifikimit të duhur dhe kapacitetet e ulëta të njësive pengojnë zhvillimin e sektorit të mbetjeve dhe investimet në këtë sektor", pohuan sot burime nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, "manuali i vjen në ndihmë njësive se si të rrisin aftësitë e tyre për të thithur fonde dhe afruar më tej standardeve të BE". Administrimi i mbetjeve të ngurta urbane mbetet një problem për zgjidhje, ndërkohë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë hapash për menaxhimin e tyre dhe zvogëlimin e pasojave negative në mjedis, me një sërë projektesh ambicioze për ngritjen e venddepozitimeve bashkëkohore në disa nga qytetet më kryesore të vendit, si në Tiranë, Shkodër, Sarandë, Lushnjë, etj. Qeveria shqiptare po financon studime fizibiliteti për Elbasanin, për Qarkun e Vlorës, Durrësin, Lushnjen, Fierin, Bashkinë e Shkodrës, për Lezhën. Ndërkohë, landfield-et e Bushatit dhe ai i Sharrës (Tiranë) kanë nisur funksionimin e tyre. Nga ana tjetër, specialistët e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave po punojnë për ligjin për administrimin e mbetjeve urbane, si dhe për planin kombëtar për administrimin e mbetjeve urbane.
...