E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bësh bisnes/ Komuniteti i bisnesit inkurajon qeverinë për të vijuar me reformat

Komuniteti i biznesit, duke vlerësuar raportin e Bankës Botërore "Doing Biznes 2010", inkurajon qeverinë shqiptare për të vijuar më tej me reformat në drejtim të përmirësimit të klimës për biznesin. Biznesi vlerëson se, ashtu edhe siç është faktuar  në këtë raport të BB-së, në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm klima për të bërë biznes. "Sigurisht, reformat duhet të vazhdojnë dhe është kjo arsyeja që ne, si institucion që mbështesim dhe promovojmë biznesin, e inkurajojmë qeverinë në këtë drejtim, duke i ofruar mbështetjen, eksperiencën dhe mendimet tona, që fryma e reformave të vazhdojë në kohezion me atë të zhvillimit të biznesit", thuhet në një deklaratë të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. "Komuniteti i biznesit ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha reformat, duke vlerësuar se çdo arritje është një start i ri për zhvillime të reja dhe në këtë pikë si përfaqësues të sipërmarrjes private jemi dhe mbetemi në krah të të gjithë zgjidhjeve optimale që sjellin progres dhe eliminojnë çdo lloj kontestimi të mundshëm" vijon më tej deklarata e komunitetit të biznesit. Në deklaratën e UDHTI-së thuhet se thjeshtimi i procedurave për regjistrimin, kostoja e ulët për hapjen e një biznesi, avantazhet për marrjen e kredive, mbrojtja dhe garantimi i investitorëve vendas dhe të huaj, rritja e shpejtë ekonomike, stabiliteti i çmimeve, niveli i ulët i inflacionit, masat fiskale me orientim pro-biznes dhe me tendencë uljen e taksave, janë argumente dhe fakte të një pune të përgjegjshme nga ana e qeverisë shqiptare. "Këto reforma do të çojnë dhe ne zgjidhjen e disa problemeve si procedurat e liberalizimit të lejeve të ndërtimit, mënyrën e pagesës së taksave, handikapet ligjore mbi falimentimin dhe procedurat e sakta mbi mbylljen e biznesit", vlerëson komuniteti i biznesit. Në kushtet e sotme, thuhet më tej në këtë deklaratë, ku në jetën parlamentare ka një përfaqësim të ri të biznesit në cilësi dhe në numër, prezenca e përfaqësuesve të biznesit në komisionet parlamentare dhe vendimarrëse në Kuvend, do të krijojë lobingje më të forta dhe solide, duke qënë një zë i qënësishëm në bashkëpunimet e reja biznes-qeveri. "Kjo do e bëje sipërmarrjen private të ndjehet më e sigurt në nismat dhe reformat qeveritare", theksohet në këtë deklaratë. Shqipëria renditet e 57-ta në Raportin Vjetor 2009 - Liria Ekonomike e Botës", njoftoi Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), ndërsa ekspertët theksojnë se "Shqipëria përbën një rast interesant studimi". Vitin e kaluar vendi ynë ishte në pozicionin e 65-të. Raporti vjetor i Lirisë Ekonomike në Botë i rishikuar nga ekspertë, përgatitur nga Instituti "Fraser" në Kanada përdori 42 njësi matjeje të ndryshme për të krijuar një indeks që i rendit vendet e mbarë botës në bazë të politikave që inkurajojnë lirinë ekonomike. Gurët e themelit të lirisë ekonomike janë: liria e zgjedhjes personale, shkëmbimi vullnetar, liria për të konkurruar dhe garantimi i pronës private. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›