E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përgatitjet për 11 Majin – Në Kukës mbërrijnë dhomat e fshehta, kamerat dhe aparaturat e skanimit të votave

Në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, të cilat më pas do të shpërndahen në 73 qendrat e votimit të Bashkisë Kukës.

Kryetari i KZAZ Kukës, Uran Cengu, shprehet se pjesa më e madhe e materialeve kanë ardhur dhe në ditët në vijim priten edhe fletët me kutitë e votimit.

“Janë dorëzuar nga KQZ-ja materialet zgjedhore, si dhomat e fshehta, kamerat e qendrave të votimit. Janë 73 qendra votimi dhe nga këto janë të gjitha të dorëzuara me kamera e rekordera filmikë, edhe materialet e skanimit të GNV-ve,” tregon z. Cengu.

Këtë vit është një qendër votimi më pak, nga 74 qendra votimi në 73, për shkak të rënies së numrit të votuesve. Ndërkohë nuk janë shfaqur probleme me listat e zgjedhësve.

“Në qendrën e votimit Kalisht ka rënë numri i votuesve nën 300, kështu që ajo qendër është shkrirë, duke ngelur në 73 qendra votimi. Nuk kemi pasur ndonjë ankesë nga qytetarët për probleme me listat,” thotë kryetari i KZAZ-së Kukës.

Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në Bashkinë Kukës janë të regjistruar gjithsej 44.535 zgjedhës në listën përfundimtare të votuesve. 

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›