ANALIZË – Dronët rusë në Poloni ngjallin shqetësime për NATO-n

BRUKSEL, 16 shtator /ATSH/- Një seri dronësh rusë fluturuan drejt Polonisë, në atë që zyrtarët e konsiderojnë një provokim të qëllimshëm, sipas AP.
NATO i është përgjigjur Rusisë duke forcuar mbrojtjen ajrore të aleancës në krahun e saj lindor.
Këto ngjarje – që ndodhën në muajin e samitit SHBA-Rusi në Alaskë – i cili dështoi në arritjen e paqes në Ukrainë – vetëm sa i kanë rritur tensionet në Evropën Lindore.
Presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022,i disa ditë pas manovrave të përbashkëta me Bjellorusinë.
Manovrat e fundit gjithëpërfshirëse, të quajtura “Zapad 2025” – ose “Perëndimi 2025” – i kanë ngjallur shqetësime për anëtarët e NATO-s, Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë, që kufizohen me Bjellorusinë në perëndim.
Manovrat, të cilat përfundojnë sot, kanë përfshirë bombardues dhe anije luftarake – të aftë për armë bërthamore – mijëra trupa dhe qindra automjete luftarake që simulojnë një përgjigje të përbashkët ndaj një sulmi armik – duke përfshirë planin për përdorimin e armëve bërthamore dhe opsioneve që përfshijnë raketën e re balistike me rreze të mesme veprimi të Rusisë, “Oreshnik”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte iu referua raketave hipersonike të Moskës, duke vënë në dukje se ato shkatërrojnë idenë se Spanja ose Britania e Madhe janë më të sigurta se fqinjët e Rusisë, Estonia ose Lituania.
“Le të biem dakord që brenda kësaj aleance prej 32 vendesh, të gjithë jetojmë në krahun lindor”, tha Rutte në Bruksel.
Kur Rusia e përdori për herë të parë raketën “Oreshnik” kundër Ukrainës në nëntor 2024, Putini paralajmëroi Perëndimin se mund ta përdorte atë më pas kundër aleatëve të Kievit që i lejonin asaj të godiste brenda Rusisë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi.
Rusia ka filluar prodhimin e “Oreshnik” duke rikonfirmuar planet për ta dislokuar atë në Bjellorusi, këtë vit.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Pavel Muraveiko tha sot se manovrat përfshinin planin për përdorimin e armëve bërthamore taktike dhe dislokimin e “Oreshnik”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Ndryshe nga raketat balistike ndërkontinentale me majë bërthamore që mund të shkatërrojnë qytete të tëra, armët taktike, më pak të fuqishme, kanë një rreze të shkurtër veprimi për t’u përdorur kundër trupave në fushën e betejës. //a.i/