E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjaket fundjava, katër aksidente në 24 orë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Shkelje e rregullave të qarkullimit bëhet shkak për aksidentet. Policia shton patrullat në të gjithë rrugët

Një burrë ka gjetur vdekjen dhe tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në tre aksidente të ndodhura në 24 orët e fundit. Trafiku i rënduar në fundjave ka shënuar viktima në disa rrugë të vendit. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për aksidentet është bërë jo vetëm fluksi i madh i mjeteve që lëvizin në këtë periudhë, por dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas të njëjtave burime mësohet se janë shtuar patrullat e policisë në pothuajse të gjithë rrugët nacionale të vendit. Kryesisht policia ka shtuar kontrollet në zonat bregdetare ku dhe fluksi është më i madh.
Aksidentet
Një burrë në moshë të thyer gjeti vdekjen paraditen e së dielës pasi u përfshi në një aksident, për të cilin policia ka bërë shoqërimin e një personi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh Sukthin me Ishmin në afërsi të fshatit Hamallaj. Kalimtari 69-vjeçar, Hasan Shehi ishte duke u përpjekur të kalonte rrugën për të shkuar në vendbanimin e tij, kur një automjet tip “Benz” e përfshiu nën rrota duke i shkaktuar plagë fatale. I moshuari ka gjetur vdekjen, kurse me mbërritjen e policisë, është bërë shoqërimi i të riut, Alfred Bardhi, i cili drejtonte automjetin e përfshirë në aksident. Ndërkohë po dje në rrugën kombëtare Vlorë-Fier, te vendi i quajtur “Kripa” është shënuar një tjetër aksident. Burime policore dhe dëshmitarë në vendngjarje, bënë të ditur se kamioni i cili vinte nga Tirana për të sjellë në Vlorë transformatorin, që do të shërbente në sistemimin e defektit që ka lënë pa drita zonën e ujit të ftohtë, është përplasur me një fugon. Shkak i aksidentit duket se ka qenë shpejtësia e dy automjeteve. Nga përplasja, përveç dëmeve materiale të shkaktuara janë plagosur edhe tre persona, të cilët janë transportuar me urgjencë në spitalin e Vlorës, ku mjekët thanë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy aksidenteve që kanë ndodhur në orë të ndryshme në rrugën nacionale Korçë-Pogradec. Sipas të dhënave nga policia Luan Lici, 52 vjeç, nga fshati Bulgarec i Korçës lëvizte me një biçikletë kur është përplasur dje në mëngjes nga një mjet me targa të huaja, që drejtohej nga një shtetas anglez”. Policia tha se aksidenti ndodhi në orën 06:45 të mëngjesit, kur i dëmtuari po lëvizte me biçikletë për të shpërndarë qumësht në qytetin e Korçës. Përplasja, sipas policisë që shkoi në vendngjarje, ka qenë e lehtë, por 52-vjeçari ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar mbi asfalt.
Në afërsi të fshatit Vashtmi, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme, u regjistrua një tjetër aksident, me pasojë plagosjen e Mirosh Brahollit, 52 vjeç, nga fshati Vashtmi, që qarkullonte me karrocë. Nga hetimet e policisë në vendngjarje, rezulton se 52- vjeçari u përplas nga një mjet që lëvizte në të njëjtin drejtim me të.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›