E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unifikimi

YLBER LILI

Askush nuk mund ti kontestojë elementet e qenësishme të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Gjuha, gjaku, gjeografia (territori), rrëfimi i përbashkët historik, kultura, tradita etj., e bëjnë identitetin e shqiptarëve të dallueshëm nga të tjerët, pavarësisht se kombi shqiptar është i shpërndarë në pesë njësi administrative.   Natyrisht që një tjetër element është edhe religjioni (feja), por rilindësit tanë, me mençuri dhe largpamësi, arritën që ti paraprijnë fenomenit përçarës apo konfliktual mes besimeve. Thënia e Pashko Vasës se feja e shqiptarit është shqiptaria, sot e gjithë ditën ka shumë domethënie. Përmes këtij slogani u ruajt kohezioni i brendshëm në shoqëri dhe u forcuan identiteti kombëtar i shqiptarëve.
Ndonëse qëllimi i këtij shkrimi nuk ka të bëjë gjithaq me tendencat për futjen e elementeve përçarëse në shoqëri, gjithsesi ia vlen që të njohim të shkuarën, të kuptojmë të tashmen dhe me maturi të projektojmë forcimin e kohezionit të brendshëm shoqëror dhe kombëtar.
Një popull i njëjtë, që ka qenë i privuar nga komunikimi normal, patjetër që ka pasur përvoja të ndryshme, qoftë kur vlerësohen proceset apo personazhet historike, qoftë për zhvil­limit konkrete aktuale. Në këto kushte lind nevoja që të unifikojmë rrëfimin tonë të përbashkët për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Ky unifikim nuk mund të arrihet duke u mbështetur vetëm tek iniciativat individuale të ndonjë shtëpie botuese për unifikimin e teksteve shkollore, apo konferencat mbarëkombëtare të departamenteve të ndryshme universitare, iniciativat inkurajuese dhe mbresëlënëse te medias, guidat e panairit të librit, por me projekte konkrete, platforma serioze dhe angazhim të njëmendtë institucional. Çështë e vërteta, përveç Rrugës së Kombit, deri tani nuk është investuar pothuajse asgjë konkrete për integrimin e hapësirës mbarëshqiptare dhe aspiratat e përbashkëta në kontekstin e ri historik të vlerave. Në këtë kuptim, shtetarët, pushtetarët, politikanët dhe elitat duhet të shikojnë përtej qarkut të mbyllur dhe të ndërmarrin iniciativa konkrete për integrimin dhe unifikimin e hapësirave shqiptare. Nuk po themi të guxojnë dhe të ulen për të ndërmarrë nisma drejt bashkimit kombëtar, ngaqë dihet që i kanë këmbët e lidhura dhe gojët e kyçura, por, nga ana tjetër, askush nuk i pengon që të ndërtojnë strategji veprimi që përmes platformave të përbashkëta të vendosin disa prioritete shtetërore:
Në përpilimin e një programi kulturor dhe arsimor mbarëkombëtar: ruajtjen e trashëgimisë kulturore panshqiptare, këmbime kulturore jokomerciale, stimulimin e krijimtarisë artistike dhe letrare, përfshirë edhe sektorin audiovizual, ruajtjen e dallimeve kulturore nacionale nga ato rajonale, veçmas kulturën e përbashkët europiane, krijimin e sistemit të përbashkët të informimit, krijimin e tregut të përbashkët ekonomik etj. Si prioritete kryesore, institucionet e Tiranës dhe të Prishtinës, duke u koordinuar edhe me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës, ndër të tjera duhet të kenë:
- projekte të përbashkëta institucionale dhe kulturore;
- platformë e përbashkët arsimore;
- unifikim të gjuhës standarde;
- teatër mbarëkombëtar;
- dhomë e përbashkët ekonomike dhe, më e rëndësishmja, njëjtësim të teksteve shkollore.
Sdo mend që ka edhe shumë elemente të tjera unifikuese dhe integruese. Sidoqoftë, e shoh të udhës që prioritetet e lartpërmendura janë të realizueshme dhe të papengueshme nga askush, mjafton të ekzistojnë vullneti i përbashkët institucional.
Kurrsesi nuk mund të justifikohet mungesa e unifikimit të teksteve shkollore, siç është gjuha, letërsia, historia, apo abetarja. Në këtë kontekst, problemi nuk qëndron te mungesa e infrastrukturës, apo e sipërmarrësve për të profilizuar dhe njëjtësuar tekstet shkollore, por te mungesa e seriozitetit të dy shteteve shqiptare. Bie fjala, shtëpia botuese Albas, tashmë e afirmuar dhe që merret ekskluzivisht me tekstet shkollore, e ka të gjithë infrastrukturën e gatshme për ti dhënë jetë këtij projekti, mjafton të jepet drita jeshile nga institucionet përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë (e vura theksin tek Albas, ngaqë aktiviteti i saj ka karakter mbarëkombëtar).
Çdo vonesë në këtë aspekt do të lë pasoja në shoqërinë mbarëshqiptare dhe do të përballemi me veprime qesharake, siç është rasti i teksteve që i adresohen diasporës: të tjera tekste shkollore përpilohen në Kosovë dhe të tjera në Shqipëri. Në këtë kuptim, Tirana dhe Prishtina duhet të mendojnë seriozisht për unifikimin e shoqërisë mbarëshqiptare, forcimin e identitetit kombëtar, qoftë edhe përmes teksteve të përbashkëta shkollore. Duke iu referuar Samuel Huntingtonit, i cili në librin e tij Përleshja e civilizimeve dhe ribërja e rendit botëror, ndër të tjera, thekson se në botën e pas-Luftës së Ftohtë, ndarjet më të rëndësishme në mes njerëzve nuk janë ideologjike, politike, apo ekonomike. Ato janë kulturore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›