Përgjegjësia është e shtetit
Fatos Lubonja
Fatos Lubonja shkruan për Korrierin
Si ka mundësi të ndërtohet një fabrikë për çmontimin e minave dhe të predhave të artilerisë në një zonë dendësisht të banuar? Kush e ka dhënë lejen që ajo të vendoset aty? Për ç’arsye është vendosur aty? Si ka mundësi të grumbullohet një sasi aq e madhe predhash në një vend, kur, sipas deklaratës së kryeministrit, djegoret e tyre edhe shpërthejnë vetvetiu? A ka mundësi që kompania amerikane të quhet e specializuar, kur për një punë kaq të rrezikshme, punëson njerëz që dje kanë ardhur nga Greqia dhe sot punësohen, apo hallexhinj që nuk gjejnë dot punë tjetër e që deklarojnë se punonin aty për pesë lekë? A mund të jetë serioze një fabrikë çmontimi predhash, kur drejtori i fabrikës fle brenda saj, siç doli se flinte drejtori i kësaj fabrike? Nëse kompania amerikane e ka mbyllur kontratën prej shumë muajsh, siç deklaroi menaxheri i saj në “News 24”, ç’është kjo firmë shqiptare e nënkontraktuar, e cila, në fakt, bënte punën dhe mbulohej me emrin e amerikanëve? Sa të ligjshme janë këto nënkontraktime? Kush e mban përgjegjësinë: firma e kontraktuar, apo ajo e nënkontraktuar? Pse duhen këto nënkontraktime? Pse qeveritarët tanë na i mbulojnë kompanitë vendase me kompani të huaja? Të gjitha këto pyetje e të tjera presin përgjigje, por presin edhe përgjegjës gjithashtu. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një mallkim, as me një fat të keq. Le të mos bëjnë teatër duke treguar nëpër media poza mediatike politikanësh që japin gjak, as të mburrim gatishmërinë e reagimit të forcave tona policore dhe as solidaritetin e rrejshëm mazhorancë-opozitë, gjoja në emër të hyrjes në NATO. Ajo që ndodhi, është pasqyra më dramatike deri më sot e asaj se ku është katandisur vendi që kemi ndërtuar me duart tona, si rezultat i sistemit politik e ekonomik që funksionon në vendin tonë prej 17 vjetësh. Le ta themi troç: është sistemi kriminal i korrupsionit super të lartë, shkaktari kryesor i rritjes marramendëse të probabilitetit të aksidenteve që ekzistojnë në vendon tonë. Kjo ngase çdo punë në këtë sistem, madje edhe ato të një rrezikshmërie kaq të lartë, nuk bëhen me logjikën e shërbimit, por të grabitjes dhe të përfitimit maksimal. Të gjithë e dinë se ky është shkaku i kësaj tragjedie dhe i shumë të tjerave që nuk kanë ndodhur e që mund të ndodhin. Atij shkaku mund t’i shkosh drejt thelbit, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha, kur tha se Ministria e Mbrojtjes kishte përgjegjësi vetëm për transportin e predhave, kurse përgjegjësitë e tjera i kishte firma private. Si ka mundësi!? Paskemi një kryetar qeverie që nuk ditka as rolin e institucioneve që drejton. Por, a është vërtet kështu? Jo, aspak! Berisha e di shumë mirë se një nga rolet më të rëndësishme të shtetit është të vigjilojë mbi interesat publike, të na mbrojë nga rreziqet, nga vjedhësit, nga grabitësit, nga mashtruesit dhe nga të gjithë llojet e kriminelëve, qofshin në punë private apo shtetërore; të parandalojë aktivitetin e tyre kriminal e me radhë. Të paktën këtë e ka nga përvoja e piramidave financiare. Jo vetëm, por edhe e ka deklaruar gjatë tërë fushatës elektorale kundër socialistëve, kur ka premtuar ndërrimin e shtetit nga shtet “i kapur”, nga mafia në shërbyes të qytetarëve, sepse ai e di që kanë rënë edhe tavane shkollash të posarikonstruktuara mbi kokat e fëmijëve tanë, për shkak të këtij sistemi tenderësh korruptivë. Në rastin konkret, ai e di shumë mirë se shteti është kontraktor për të kryer një punë që u shërben qytetarëve, në emër të rritjes së sigurisë së jetës së tyre, kurse kontrata apo tenderimi që qeveria e tij ka bërë ose nuk e ka bërë si duhet, është e tillë, që e ka rritur këtë pasiguri, duke shkaktuar tragjedi të paparë. Mjafton vendosja e asaj fabrike atje, për të paditur shtetin për krim. Po, pse gabon përsëri Berisha, duke bërë deklarata të tilla larjeje duarsh nga përgjegjësia? Sepse është i kapur nga sistemi që premtoi se do ta ndryshonte. Të gjithë e njohim si funksionon sistemi ynë i korrupsionit në sektorin e punëve publike: paratë tona publike kontraktohen me firma private, të cilat shpesh zgjedhin edhe nënkontraktorë që bëjnë pazare me politikanët dhe rezultati është një cilësi minimale punimi e një vjedhje maksimale që ndahet midis kontraktorëve apo nënkontraktorëve dhe politikanëve. E që kjo vjedhje të jetë maksimale bëhet gjithçka; neglizhohen deri edhe kushtet minimale të masave të sigurisë. Kjo shpjegon shumëçka edhe në këtë rast: vendndodhjen e fabrikës, faktin pse atje punonin gra dhe fëmijë për pesë lekë, madje edhe faktin pse ato predha kanë udhëtuar si bomba shëtitëse në rrugët më të trafikuara të Shqipërisë, ndërkohë që ne nuk dinim asgjë. Sot ne jemi vendi që kemi vdekjet më të shumta nga aksidentet rrugore, duke i kaluar vendet e tjera 2 deri në 8 herë. Nuk ka dyshim se një pjesë e përgjegjësisë për këto vjen nga vjedhjet që nuk lejojnë të kryhen tërë vizimet, ndriçimet e mbrojtjet e duhura të rrugëve, që për më tepër janë kushte të imponuara nga normat evropiane. Ne kemi distributorë karburantesh apo shitës bombolash gazi brenda në qytete, ngjitur me pallate banimi e jashtë çdo norme sigurie. Ne kemi mu në mes të kryeqytetit një linjë tensioni të lartë, që na varet mbi kokë, mu mbi bulevard. Na u tha se do të hiqej, se ishte provizore, por sot, pas kaq vitesh, askush nuk kujtohet se pse paratë e KESH-it duhet të vidhen. Sot ne nuk dimë as se çfarë hamë, sepse tregtarët e ushqimeve i kemi bërë edhe ministra të ushqimeve, vetëm e vetëm për të mbrojtur fitimet e tyre. Ne kemi bërë ndërtime, ku nuk mund të hyjë dot zjarrfikësja, nga etja për metër katror e përfituesve. Ne nuk dimë çfarë mund të na ndodhë sikur të bjerë një tërmet, sepse projekteve tmerrësisht abuzive ndaj hapësirave publike, të pakontrolluar nga institute sizmike serioze, u janë shtuar edhe kate sipër, apo janë hequr themelet e pallateve të vjetra për të hapur biznese private. Të gjitha këto, pra, e të tjera, kanë ndodhur, sepse ata që duhet të kontrollojnë privatin, nuk kanë kryer detyrën, ngase janë paguar nga privati shumë herë më shumë nga sa i paguan shteti. Edhe kur hyjnë në politikë, politikanët tanë hyjnë duke bërë kalkulimet e këtyre përfitimeve, ndërkohë që biznesmenët tanë, kur u hyjnë investimeve, kujdesen më së pari të sigurojnë lidhjet korruptive me ta, ashtu sikurse edhe për të blerë heshtjen e mediave dhe të intelektualëve. Kaq e thjeshtë është e vërteta që e dimë të gjithë. Ky është sistemi politik e ekonomik që funksionon tek ne dhe tragjeditë e aksidenteve kësisoj janë vetëm njëri prej aspekteve më të dukshme e më tragjike të pasojave të tij mbi jetën e qytetarëve. Filozofia e piramidave financiare nuk ka rënë, ajo vetëm ka ndryshuar pamje. Më kujtohet se Edi Rama ka thënë njëherë: “Takohemi pas tërmetit”. Nuk e di a do të takohemi dot pas tërmetit, por këto dy ngjarje që ndodhën njëra pas tjetrës, ajo e Farkës dhe kjo e Gërdecit, më duket se janë simptoma të një sëmundjeje që paralajmëron për tërmetin. Është sëmundja 17-vjeçare e një shteti të kapur nga korrupsioni e paligjshmëria në formën më të kriminale.