E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përgjegjësia u takon të gjitha partive, mazhorancës dhe opozitës”

31/03/2010 Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule rrëfen qëndrimin ndaj situatës politike në Shqipëri

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në funksion të rrugës së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke folur në një intervistë për euroactiv.com, zyrtari i lartë evropian shprehet se ky progres është i dukshëm, nisur edhe prej faktit se Këshilli Evropian i ka kërkuar Komisionit të Evropës të përgatisë një opinion mbi këtë vend. Duke folur për mesazhin e dhënë gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, ai rishpreh shqetësimin rreth stabilitetit të institucioneve demokratike dhe mungesës së dialogut politik në Parlament. Komisioneri ndalet në ngërçin disamujor politik në vendin tonë. “Gjithçka është në dorën e shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që ata do të bëjnë progres dhe të tregojnë se ata kanë një demokraci të pjekur. Përgjegjësia u takon të gjitha partive politike, mazhorancës dhe opozitës”, ka deklaruar ai. Stefan Fule rrëfen edhe dëshirën e tij që pas përfundimit të mandatit të tij 5-vjeçar në postin e komisionerit për Zgjerimin, në BE të jenë anëtarësuar një numër i konsiderueshëm vendesh, gjë që duhet të ndodhë falë meritave të secilit vend.

Ju keni zhvilluar një tur në rajon kohët e fundit dhe vizituat Shqipërinë, një vend i cili është disi i padukshëm në lajmet kryesore. Që prej zgjedhjeve politike në qershorin e kaluar, opozita ka bojkotuar Parlamentin, diçka që nuk është e mirë për procesin e Stabilizim Asociimit. Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por qartësisht ka probleme. Cili është mesazhi juaj drejtuar Tiranës?

“Mesazhi im për Tiranën ishte i qartë. Së pari, shpreha vlerësimin për progresin që është bërë: Shqipëria është bërë një vend anëtar i NATO-s dhe Këshilli Evropian i ka kërkuar Komisionit të Evropës të përgatisë një opinion mbi këtë vend. Por gjithashtu vura theksin te rëndësia e kritereve politike të Kopenhagenit (Samitit të Kopenhagenit). Shpreha shqetësimin rreth stabilitetit të institucioneve demokratike dhe mungesës së dialogut politik në Parlament. Theksova rëndësinë e kësaj: sigurisht, të gjitha ligjet janë adaptuar këtu, dhe nuk do të ketë reforma pa legjislacionin e duhur. Gjithçka është në dorën e shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që ata do të bëjnë progres dhe të tregojnë se ata kanë një demokraci të pjekur. Përgjegjësia u takon të gjitha partive politike, mazhorancës dhe opozitës”.

Shqipëria ka ndryshuar shumë: gjatë periudhës së komunizmit ishte tepër e vështirë dhe ishte në një situatë shumë më të rëndë se vendet e tjera. Mund të vlerësoni zhvillimin e Shqipërisë në këta 20 vjet? Jugosllavia ishte një vend shumë i suksesshëm në atë periudhë. Qytetarët e saj gëzonin lëvizje të lirë dhe miliona prej tyre punonin në Perëndim, ndërkohë që asnjë shqiptar as që nuk mund të imagjinonte të largohej nga vendi...

“Padyshim secili vend ka historinë e tij dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë me vete një bagazh të madh historik. Konflikti ka ekzistuar shpesh në rajon dhe Shqipëria në mënyrë të veçantë ka një bagazh të madh në këtë këndvështrim. Kështu që unë jam dakord: është mbresëlënëse të shohësh progresin që ata kanë bërë në këto 20 vjetët e fundit. Fakti që Këshilli Evropian i kërkoi Komisionit të përgatisë një opinion është një provë e progresit që ka bërë Shqipëria. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se puna mbaroi dhe unë mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm drejtuar vendeve të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, e cila ende ka nevojë për të hapur kapitullin 23 të negociatave, që lidhet me liritë e gjyqësorit dhe ato thelbësore. Ky është një ndër mësimet që duhet mësuar prej zgjerimit të mëparshëm: vendosja e një rëndësie të veçantë ndaj kritereve të Kopenhagenit - në mënyrë të veçantë kriteri politik - që prej fillimit të procesit të anëtarësimit, deri në fund të tij. Ne duhet të sigurojmë që vendet jo vetëm të kenë legjislacionin dhe institucionet, por gjithashtu të kemi të dhëna për zbatimin”.

Ju mbani një post të rëndësishëm, atë të komisionerit për Zgjerimin, një pozicion që është kërkuar nga disa vende të Evropës Lindore. Kur mandati juaj të mbarojë pas pesë vjetëve, çfarë do të donit të linit pas për komisionerin e ardhshëm të Zgjerimit?

“Unë gjithmonë përpiqem të evitojë t’u përgjigjem pyetjes se sa vende të reja anëtare do të jenë në vitin 2014. Por sinqerisht shpresoj që deri në fund të mandatit tim të mos ketë asnjë referencë ndaj shprehjes “lodhja e zgjerimit”, dhe se qytetarët e Bashkimit Evropian të shohin më qartë përfitimet e zgjerimit. Zgjerimi sjell jo vetëm anëtarë të rinj dhe numra më të mëdhenj, por sjell vende të reja, të cilat fuqizojnë BE-në. Kur vështron sfidat me të cilat përballet BE-ja gjatë shekullit XXI, është ekstremisht e rëndësishme të shohësh për nga jashtë, jo për nga brenda. Zgjerimi është një element i rëndësishëm i këtij zgjerimi”.

Marrë me shkurtime nga www.euroactiv.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›