E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjësit e dhunës

Qeveria e Kosovës ka bërë përgjegjës për dhunën dhe tensionet në veri zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic dhe Borislav Stefanovic. Kryeministri Thaçi tha se këta zyrtarë që hynë si klandestinë në Kosovë, kanë lidhje me kontrabandistët dhe paramilitarët në veri të Kosovës Nga Valmir Klaiqi më 04 gusht 2011 në ora 08:32

Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë përgjegjës direkt Goran Bogdanovicin dhe Borislav Stefanovicin – zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, për vazhdimin e bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës.

Duke i quajtur klandestinë, kreu i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës i bën përgjegjës këta zyrtarë dhe Qeverinë e Serbisë për bashkëpunim me kriminelët serbë në veri të Kosovës për ta mbajtur gjendjen e tensionuar.

“Për fat të keq, zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine dhe janë të vetmit në Europë që lëvizin në mënyrë të tillë. Shteti i Kosovës vazhdon këmbëngulësisht dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri. Ata janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri. Ata janë duke i inspiruar bllokuesit e rrugëve dhe qëndrojnë shpeshherë në mesin dhe në ballë të këtyre barrikaduesve. Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga njerëz paramilitarë të armatosur. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada”, ka thënë Thaçi të mërkurën para kabinetit qeveritar.

Ai ka rikujtuar se Qeveria Kosovës është në ballafaqim me shkelësit e ligjit në veri të vendit dhe në asnjë rrethanë me popullatën civile.

“Ne e kemi ditur dhe e kemi ngritur zërin se vazhdimisht prapa veprimeve të kundërligjshme, kontrabanduesve, paramilitarëve, qëndron Qeveria e Beogradit, me çka kësaj radhe definitivisht u vërtetua”, tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se tashmë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qëndrime unike për veriun e vendit.

“Nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut. Kjo është konfirmuar edhe nga Brukseli dhe nga Washingtoni”, ka shtuar ai.

Gjendja në pikat doganore 1 dhe 31, sipas tij, është e pakthyeshme dhe respektimi i plotë i rendit kushtetues në atë pjesë do të ndodhë.

“Vendimi për të futur nën kontroll vendkalimet kufitare në veri të vendit ka qenë i vonuar dhe të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë janë të befasuar se pse nuk është vepruar tash e 12 vjet nga ana e institucioneve të Kosovës. Pra, veprimi ka qenë i vonuar, por shumë i drejtë”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa, duke folur për vendimin e institucioneve për vendosjen e ligjshmërisë për zbatimin e reciprocitetit, ai ka thënë se për këtë gjë edhe Beogradi ka qenë i informuar.

“Beogradi e di se Kosova është vend sovran, është vend i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tash kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore. Kur theksoj Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se Qeveria e Kosovës nuk do të tolerojë më tutje kontrabandën, krimin, grupet paramilitare, MUP’in serb, në atë pjesë të Republikës së Kosovës”.
Thaçi ka thënë se tani puna do të vazhdojë kundër shkelësve të ligjit dhe paramilitarëve.

“Nuk do të mund të fshihen në asnjë skutë. Do të ballafaqohen me ligjin. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë lehtësira për shkelësit e ligjit. Për shkelësit e ligjit nuk do të ketë amnisti, por do të ketë drejtësi të plotë prej institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Reciprocitet për marrëveshjet e arritura

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se Qeveria e Kosovës do t’i respektojë tri marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë pesë raundeve të bisedimeve. Kuçi ka thënë se Kosova nuk lëviz prej marrëveshjeve, por edhe në këtë rast do të kërkojë reciprocitet nga Serbia.
“Qeveria e Kosovës është e përgjegjshme për veprimet që i merr dhe gjitha marrëveshjet që i arrin do t’i respektojë me kohë dhe në mënyrën e paraparë. Logjika jonë është që një parim ndërkombëtar është që marrëveshjet duhet të respektohen. Ne nuk lëvizim prej marrëveshjeve që kemi me prezencën e BE’së dhe SHBA’ve, por gjithmonë do të jemi korrektë që të njëjtën gjë, edhe në këtë rast do të kërkojmë reciprocitet”, është shprehur Kuçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›