E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet pa faj

Ahmet Thaçi është vrarë pa pikë faji në qendër të Ulqinit. Ai kishte qëlluar bashkë me Halil Adovicin, i cili kishte pasur mosmarrëveshje me dorasin Rade Aleksic. Thaçi ka vdekur në vend e Adovic më vonë, rrugës për spital. Nga Express më 04 gusht 2011 në ora 08:28

Ahmet Thaçi, 45-vjeçar nga Kosova, ka mbetur i vrarë mbrëmjen e të martës, pas një incidenti me të shtëna në qendër të qytetit në Ulqin. Një tjetër person ka vdekur nga plagët, më vonë në spital.

Sipas policisë, Thaçi është goditur nga plumbat e shtënë nga revolja e Rade Aleksicit. Me këtë rast është qëlluar për vdekje edhe Halil Adovic, i cili ishte bashkë me Thaçin.

Rade Aleksic ka shtënë pesë here. Dy plumba e kanë goditur Thaçin, ndërsa tre të tjerë Adovicin. Thaçi ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Adovic ka ndërruar jetë pas 45 minutash, rrugës për Spitalin e Tivarit. Thaçi jetonte e punonte në Gjermani.
Mjeku Hasan Zeneli, i cili ishte kujdestar në spital, ka shpjeguar se kosovari është goditur nga plumbat në zemër dhe kokë.

Dyshohet se vrasja e dyfishtë në qendër të qytetit ka ndodhur për një shkak banal. Aleksic e Adovic kishin pasur mosmarrëveshje rreth vendosjes së një reklame në ndërtesën ku Adovic kishte një qendër masazhi e Aleksic një ordinancë mjekësore.
Sipas gazetës malaziase “Vijesti”, Aleksic e kishte vënë në ndërtesë reklamën për ordinancën e tij, por Adovic kishte reaguar, sepse i ishte mbuluar reklama e biznesit të tij. Ata ishin përleshur verbalisht disa herë për këtë gjë, por mosmarrëveshja kulmoi të martën mbrëma.

Policia ka arritur të arrestojë dorasin dhe një person tjetër me mbiemrin Tosic, si dhe ka konfiskuar pistoletën me të cilën është kryer vrasja. Pasi e kishte kryer krimin, Aleksic e Tosic ishin fshehur në kishën e Ulqinit. Për këtë, policinë e kishin lajmëruar qytetarët. Që të dy janë arrestuar pa rezistencë.

Ndërkohë, për vrasjen e Ahmet Thaçit policia e ka njoftuar familjen e tij dhe Ambasadën e Gjermanisë në Malin e Zi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›