Përgjysmohet në dy vjet dënimi i Erkand Qerimajt
Gabimi
Dënimi i Erkand Qerimajt nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) është ulur në 2 vjet, vetëm një ditë pasi ishte dhënë vendimi i parë për 4 vjet. Kjo u botua në faqen zyrtare të IWF-së, ndërsa një ditë më parë aty ishte shënuar dënimi 4-vjeçar nga viti 2012 deri në 2016. Edhe pse nuk ka një prononcim zyrtar, mendohet se gjithçka ka ndodhur për një gabim të vetë Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Ky vendim, me dënim 2-vjeçar ka mbërritur edhe në zyrat e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP), ndërsa vetë sportisti ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga dërgimi i çështjes në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë në Zvicrës. Nuk e di se çfarë loje po bëhet, u shpreh dje Erkandi, vetëm në një ditë, dënimi është ndryshuar me dy vjet. Unë do të shkoj gjithsesi në KAS dhe do të kërkoj uljen e mëtejshme të dënimit. Në raste të tilla, dënimet nuk shkojnë më shumë sesa 6 muaj, përfundoi vetë peshëngritësi i talentuar shqiptar.
Përgjysmohet në dy vjet dënimi i Erkand Qerimajt burimi: Gazeta Shqip