"Regjim kleptokrat"

Kryetarja e deputetëve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, akuzoi dje qeverinë se nuk ka mbajtur dje premtimin kryesor të saj që e solli në pushtet, luftën ndaj korrupsionit. Sipas socialistëve, edhe kërkesa që bëjnë sot demokratët për lënien e imunitetit të deputetëve nuk është serioze. “Kryeministri paraqiti një paketë me ndryshime kushtetuese. Pjesë e saj nuk ishte heqja e imunitetit”, - deklaroi kreu i socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj. Në fakt, nga 9 nenet e ndryshuara në Kushtetutë, asnjë propozim nuk erdhi nga demokratët lidhur me heqjen e imunitetit të deputetëve, madje as më herët kur propozimet nuk ishin bërë zyrtare, siç ishte propozimi i heqjes së dekretit të presidentit, nga i cili demokratët më pas u tërhoqën. Sipas partisë më të madhe të opozitës, heqja e imunitetit do të mund të realizohej vetëm me ndryshimin e Kushtetutës, e jo me projektligjin për kufizimin e imunitetit. Sipas socialistëve, ky propozim nuk i lehtëson, por i vështirëson procedurat, ndërsa Këshilli i Mandateve merr të drejtën e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për heqjen e mandatit ndaj një deputeti. Por sipas numri një të socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj, ky vullnet jo vetëm që mungoi në këtë rast, por edhe përgjatë gjithë periudhës qeverisëse të demokratëve. Nisur edhe nga sondazhi i publikuar dje nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, Leskaj vuri në dukje se kryeministri jo vetëm që nuk ka mbajtur premtimin për luftë ndaj korrupsionit, por ky fenomen është rritur edhe më shumë se gjatë qeverisjes së socialistëve. “Nga një vështrim i të dhënave rezulton se: korrupsioni është në rritje, është rritur piazza e korrupsionit, pra është rritur korrupsioni në nivelet e larta dhe se ka rënë besueshmëria ndaj qeverisë edhe tek të djathtët; është ulur transparenca e qeverisë dhe e Parlamentit. Ajo që dua të vë në dukje lidhet me faktin që ky sondazh është bërë përpara ngjarjes tragjike të Gërdecit, e cila është dëshmia më e pastër e korrupsionit shtetëror, që hodhi në erë jetë njerëzish e prona, por edhe e mungesës totale të transparencës”, - tha liderja e socialistëve në Kuvend. Leskaj nënvizoi se situata sot është edhe më kritike se raportet e shfaqura në kohën kur është bërë sondazhi. Ajo paraqiti më tej një sërë shifrash alarmante për sa u përket pasojave të korrupsionit qeveritar. “Shihni raportin e KLSH-së se sa u kushton shqiptarëve korrupsioni qeveritar?! 6 miliardë lekë dëme ekonomike e financiare për vitin 2007. Nëse paratë që rezultojnë të abuzuara sipas raportit të KLSH-së nuk do të ishin abuzuar, sot do të kishim 10 mijë vende pune më shumë. Që do të thotë se 10.000 familje mund të jetonin më mirë, ose 100 mijë familje të varfra do të përfitonin gati tri herë më shumë ndihmë ekonomike, për të zbutur varfërinë ekstreme në qytet dhe ne fshat. Opozita ka të drejtën legjitime të pyesë: Ku kanë shkuar këto fonde? Kush i ka përfituar? Në fakt, ky është regjimi më kleptokrat që ka njohur ky vend, që jo vetëm nuk luftoi korrupsionin, por e shtoi atë”, - deklaroi Leskaj. Ajo kujtoi më tej qëndrimin e saj rreth dy muaj më parë, kur kërkonte ngritjen e një sistemi antikorrupsion. Vetëm pas një jave, theksoi kreu i grupit parlamentar të PS-së, ndodhi tragjedia e Gërdecit, që sipas saj, tregoi se qeveria kishte ngritur sistemin e korruptimit. Valentina Leskaj shtoi po ashtu, se problematike është edhe transparenca ku ekzekutivi, nga minimumi i pikëve kaluese, 50, ka marrë vetëm 38, ndërsa ka zbritur 7 pikë më pak në raport me vitin 2005, kur të djathtët erdhën në pushtet, pikërisht duke premtuar transparencë dhe tolerancë zero ndaj korrupsionit. Madje, Leskaj vë në dukje faktin se ka një rënie të besueshmërisë ndaj qeverisë nga vetë elektorati i djathtë. Referuar raportit, ajo thotë se besueshmëria e kësaj kategorie ndaj ekzekutivit ka rënë 20 për qind, jo më tek qytetarët e tjerë. saqellari@korrieri.com