E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përhapja, rrezikohet mbyllja e dy shkollave

12/11/2009  Zgjerohet harta e gripit të derrave

Zgjerohet harta e përhapjes së virusit të gripit të derrave. Gjatë kësaj jave janë zbuluar raste të reja, teksa dyshohen edhe përhapje masive në disa institucione shkollore të arsimit të detyruar. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë pohuar gjatë ditës së djeshme se dy shkolla rrezikojnë mbylljen, pasi ka dyshime për përhapjen e AH1N1-shit. Konkretisht bëhet fjalë për një shkollë në kryeqytet dhe një tjetër në rrethin e Matit. Rastet po ekzaminohen në laboratorin e virologjisë në ISHP, por specialistët nuk përjashtojnë edhe mundësinë e mbylljes së tyre. “Dje janë izoluar 9 raste të reja në Shqipëri. Kemi fakte se virusi po qarkullon në formë grumbullimesh edhe në disa shkolla të vendit, si në Tiranë dhe në Mat”, - ka pohuar kreu i ISHP-së, Alban Ylli. Gjatë ditëve të fundit urgjencat e spitaleve dhe poliklinikat në kryeqytet pohohet të kenë pasur një numër të lartë pacientësh që janë paraqitur me simptomat e gripit. Nga të dhënat e raportuara rezulton se javën e fundit janë paraqitur në spitale më shumë se 11 mijë pacientë që paraqesin simptoma të ngjashme me të gripit. Ndërkohë mjekët pohojnë se vala mund të shtohet edhe më tej, ndaj këshillojnë pacientët që të marrin vaksinën e gripit të zakonshëm. “Vaksina e gripit sezonal është në treg, është mjeti më i mirë për të parandaluar gripin. OBSH-ja këshillon përdorimin e saj për një sërë grupesh të riskut, si: fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit, personat mbi 55 vjeç si dhe punonjësit e shëndetësisë, siç mund të jenë mjekët ose prindërit e fëmijëve të vegjël”, - pohojnë ekspertët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›