Periudha e Neolitit në Reshtan
Aty janë gjetur gjësende si qeramikë, vegla stralli dhe guri, që dëshmojnë se banorët e asaj kohe kanë pasur një blegtori dhe bujqësi të zhvilluar.
Me këtë rast, ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi ka vizituar të dielën vendin ku po gërmohet nga arkeologët dhe është zotuar se MKRS do të vazhdojë që t’ju japë prioritet gërmimeve me karakter shpëtimi.
“Sot jemi këtu në Reshtan për të parë nga afër gërmimet që ka bërë nga Instituti Arkeologjik. Janë gërmimet e para që janë bërë më karakter shpëtimi që i ka mbështet MKRS. Është pa dyshim një vendbanim jashtëzakonisht interesant dhe nga ajo që u informova këtu kanë rezultuar, me gjetje të veçanta që edhe një herë dëshmojnë edhe një herë historinë jashtëzakonisht të pasur dhe civilizimin e hershëm që ka ekzistuar dhe ka jetuar, dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Kosovë dhe në gjithë këtë rajon”, ka thënë Krasniqi.
Gërmimet arkeologjike të nisura muajin e kaluar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, atë të Tiranës dhe të Tetovës, kanë pasur karakter shpëtimi të këtyre vlerave arkeologjike, pasi që mu mbi këtë vend ka nisur të ndërtohet rruga Suharekë-Studençan.
Arkeologët deri më tani kanë arritur të evidencojnë tri horizonte të banimit, të Neolitit të mesëm dhe të vonë, si dhe shumë gjurmë arkeologjike të kësaj periudhe, me dysheme, vatra, kafka të demave të vendosura nën themelet e ndërtesave dhe me shumë objekte të lëvizshme.
Arkeologu Shafi Gashi ka thënë se të tri horizontet e banimit i përkasin neolitit të mesëm, rreth viteve 4300 deri 3500 vjet Para Erës së Re.
“Në këto tri horizonte banimi po ashtu është kapur një lëndë shumë e pasur arkitektonike, gjegjësisht gjurmë të plota arkitektonike si gjurmë të objekteve banimi, vatra zjarri. Në secilin horizont janë gjetur materiale të pasura arkeologjike, qeramikë, vegla stralli, guri, po edhe shumë material kockor, që dëshmojnë se banorët e asaj kohe kanë pasur një blegtori dhe bujqësi të zhvilluar. Një fenomen shumë i rëndësishëm gjatë gërmimeve është hasur fenomeni i flijimit, ose kulti ku shumë koka gjedhesh para se të ndërtohej banesa janë groposur dhe mbi të janë ndërtuar objekte banimit, gjë që edhe në traditën e sotme ekziston ky fenomen”, ka thënë Gashi.