E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i Gërdecit “humb rrugën”



TIRANË - Procesi në ngarkim të të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit ka humbur rrugën. Gjatë ditës së djeshme është shënuar një rekord i ri: edhe seanca e 17-të nuk është zhvilluar, duke mbajtur të bllokuar procesin që prej tetorit të vitit të kaluar. Këtë herë nuk është bërë shkak avokati, por mungesa e njërit prej të pandehurve. Burimet zyrtare në Gjykatën e Tiranës bënë të ditur se i akuzuari Sokol Ngjeci nuk ka mundur të jetë i pranishëm në sallë, duke paraqitur si pretendim gjendjen shëndetësore. Zvarritja e radhës vjen pas alarmit që ngriti Gjykata e Shkallës Gjyqësore Tiranë ndaj avokatëve, për të cilët kërkoi penalizime nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Zvarritja

Sokol Ngjeci ka paraqitur në seancën e djeshme një deklarate ku thoshte se nuk kishte mundësi të paraqitej. Ne letër ai sqaron se avokati mbrojtës duhet ta mbrojë në seancë vetëm në prani të tij. Në këto kushte ishte e pamundur që të vazhdonte procesi gjyqësor. Kjo e detyroi trupën e gjyqtarëve që të vendosë sërish shtyrjen e seancës. Një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm te gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe te disa prej avokatëve të të pandehurve.

Ankesa
Tri ditë më parë inspektorët e KLD-së shkuan në Gjykatën e Tiranës për të verifikuar arsyet e shtyrjes së procesit të bujshëm për tragjedinë e rëndë të 15 marsit. Reagimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë erdhi menjëherë pas letrës që Gjykata e Tiranës i dërgoi Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku kërkohet marrja e masave ndaj avokatëve që me mungesën e tyre sistematike në proceset gjyqësore po bëhen shkak për dështimin e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në vend. Inspektorët e KLD-së do të vëzhgojnë deri ku ka arritur procesi, arsyet e mungesës së avokatëve etj. Presidenti Topi deklaroi nga Korça ditën e enjte se KLD-ja do të përgatiste një raport mbi këtë çështje dhe brenda pak ditësh do të bëhej publik para medias. Që prej tetorit të vitit të kaluar nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, ndërkohë që të pandehurit kërkojnë lirimin e tyre për tejkalim afatesh të procesit të gjykimit.

Gafa sjell 6 të lënduar në tregun e Durrësit, 2 të tjerë në Mamurras

DURRËS/MAMURRAS – Rikthehen përgjakjet në rrugë. Vetëm gjatë ditës së djeshme ndodhën dy aksidente të rënda në Durrës dhe Mamurras, të cilat përfunduan me një bilanc me 6 persona të lënduar. Numrin më të madh të personave të plagosur e shënoi përplasja që ndodhi në Shën Vlash të rrethit të Durrësit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit, i cili ka hyrë mes tregtarëve të makinave dhe ka plagosur disa prej tyre. Autori i aksidentit njoftohet se është shtetasi Dashamir Kaziu, banor i zonës. Ai po drejtonte automjetin tip “Peugeot”, me targa DR 3537 F, i cili, për shkak të shpejtësisë dhe frenimit të menjëhershëm ka humbur kontrollin. Policia thotë se gjashtë persona janë plagosur dhe 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit. Ymer Idrizi, 25 vjeç, Robert Tahiri, 26 vjeç, Shpëtim Metushi 45 vjeç dhe Fatmir Dollaku 60 vjeç mësohet se kanë marrë dëmtime të rënda bashkë me drejtuesin e mjetit.
Në të njëjtën ditë ndodhi një tjetër aksident në Mamurras. Dy këmbësorë që po kalonin superstradë, janë përplasur nga një automjet që po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe për pasojë, janë plagosur rëndë. Policia tha se dy kalimtarët u goditën nga një automjet tip “Benz” me targa LA 5832 A. Njoftohet se shtetaset Dylbere Likmetaj, 43 vjeç dhe Hatixhe Sela, 40 vjeçe, kanë pësuar goditje të rënda, ndërsa 40-vjeçarja Sela ndodhet në gjendje me rrezik për jetën në spital. Policia tha se ka ndaluar shtetasin Altin Mema, 27 vjeç, i cili drejtonte mjetin që shkaktoi aksidentin.

TË LËNDUARIT
Ymer Idrizi, 25 vjeç
Robert Tahiri, 26 vjeç
Shpëtim Metushi, 45 vjeç
Fatmir Dollaku, 60 vjeç
Dylbere Likmetaj, 43 vjeçe
Hatixhe Sela 40 vjeçe

Ekstradohen nga Gjermania dhe Greqia dy të kërkuar për vrasje

TIRANË – Dy persona të kërkuar nga Drejtësia shqiptare për vrasje janë ekstraduar nga Gjermania dhe Greqia. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se dje, rreth orës 12:20, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, është kryer ekstradimi nga Munihu, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Arsim Lita, 33 vjeç, lindur në Kukës. Sipas tyre, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me Vendimin Nr. 342, datë 29 mars 2005, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 24 (njëzet e katër) vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes“, “vrasjes së mbetur në tentativë“ dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Lita akuzohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, më datë 07 nëntor 2001, në lagjen “Ali Demi”, në Tiranë, kanë vrarë shtetasin Ilirian Zhupani dhe kanë tentuar të vrasin shtetasin tjetër Ilirian Borova, i cili mbeti i plagosur rëndë. Ai është arrestuar me qëllim ekstradimi në Wiesbadenin më datë 17 shtator 2003 dhe dje ai është sjellë në pranga nga autoritetet gjermane në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas.
Edhe Apostoil Sotiri erdhi i prangosur në Rinas dhe iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve nga autoritetet greke. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 43-vjeçari Sotiri, lindur në Gradisht të Lushnjë është dënuar më 23 dhjetor 1998 me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes“ dhe “armëmbajtjes pa leje“.
Sipas Policisë së Shtetit, më datë 10 tetor 1998, Sotiri ka vrarë bashkëshorten e tij, për motive xhelozie, duke e qëlluar me tetë plumba, si dhe ka tentuar të vrasë gjithashtu shtetasin Ilir S. Ky shtetas, gjatë qëndrimit në Greqi përdorte një pasaportë me gjeneralitete të tjera.

15 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›