Përjetësohet me një monument vizita e presidentit amerikan Bush në Fushë-Krujë

Vizita historike që ish- presidenti i SHBA, Xhorxh Ë. Bush, zhvilloi më 10 qershor të vitit 2007 në qytetin e vogël të Fushë Krujës, 15 km larg Tiranës, pritet të përjetësohet në një kompleks monumental, që do të ngrihet në qendër të këtij qyteti. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i qytetit, dhe siç u shpreh kryetari i bashkisë, Ismet Mavriqi, ai do të nisë nga zbatimi brenda muajit shtator. Tashmë janë përzgjedhur bocetet fituese të monumentit, për të cilin kanë punuar skulptorët Qazim Kërtusha dhe Ibrahim Reçi si dhe arkitekti Indrit Hamiti. Këshilli bashkiak ka akorduar një shumë prej 3.5 milion lek për ngritjen e këtij kompleksi, ndërsa po zbatohet edhe projekti i risistemimit të sheshit ku do të vendoset monumenti. Monumenti në bllok guri, me lartësi 4.5 metra, është konceptuar si një kalendar i hapur ku spikasin në bronx data e vizitës dhe deklaratat e rëndësishme të presidentit Bush mes mijëra qytetarëve të Fushë Krujës. “Deklaratat e ish- presidentit të SHBA mbi anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO dhe shpalljen e Kosovës shtet i pavarur tashmë janë një realitet tejet i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, tha Mavriqi. Sipas tij kompleksi monumental që do të ngrihet në qendër të qytetit brenda këtij viti do të jetë një shenjë mirënjohjeje tjetër e të gjithë popullit tonë për SHBA dhe presidentin e saj. Në kuadër të vizitës zyrtare që ish- Presidenti amerikan, Xhorxh Ë. Bush zhvilloi në 10 qershor të vitit 2007 në Tiranë, e para që një president amerikan zhvillon në Shqipëri, shënoi një etapë të re në marrëdhëniet e vendit tonë me SHBA-në.
...