E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po ku ishe ti, Amos?!

Asip Demo* 

PDI në skenën politike shqiptare, siç dihet nga mbarë opinioni është parti e re. Eshtë një parti e ngritur me sakrifica, e si e tillë po rritet e forcohet me sakrifica. E theksoj me sakrifica, sepse disave, shumicës, u pëlqen të ekzistojë si parti kombëtare , mbarëkombëtare, shqiptare në cilësimin e opinionit çam.  Por ka dhe disa antishqiptare, antiçamë dhe larg qoftë edhe ndoca çamë, që i kanë vështirësuar jetën, ekzistencën, veprimtarinë kësaj partie. Ndër këta, të paktën jeni dhe ju shoku Amos. Në shkrimin tuaj në gazetën “Panorama” të datës 24 gusht 2009, ju ngrini disa probleme. Duhej të kalonin mbi 2 vjet dhe ju të shqetësoheni për fatin e PDI-së duke derdhur lot krokodili, duke ngritur “dilemën” për ardhmërinë e PDI-së që edhe ju jeni krijues i saj. Duke qenë se u kujtuat pas 2 vjetësh, ju bëjmë pyetjen: Po ku ishe ti Amos…?! Ju e quani në mënyrë të paturpshme kryetarin e PDI-së, zotin Tahir Muhedini, “i vetëzgjedhur”. Po ju shoku Amos, ish-sekretar i përgjithshëm, kush ju ka zgjedhur? Mos jeni vetëzgjedhur?! Ju shoku Amos keni 2 vjet që jeni larguar nga PDI-ja dhe veprimtarinë e PDI-së në këtë periudhë e keni parë me optikën tuaj nga lart dhe nga larg. Për veprimtarinë e PDI-së në Shqipëri dhe arenën ndërkombëtare tanimë është i njohur mbarë opinioni. Shtrimi i problemit çam, në kancelaritë e vendeve evropiane, apo deri në SHBA nga ana e kryesisë së PDI-së me kryetarin Tahir Muhedini, janë fakte të njohura. Sukseset e PDI-së në skenën politike shqiptare, duke arritur të fitojë në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe 2009 në zgjedhjet për parlamentin shqiptar, janë një arritje e PDI-së me kryetarin Tahir Muhedini, ndërsa boloritë nga ana PDI-së dhe kryetarit janë sajesa dështake tuajat dhe atyre që janë pas jush, për të minuar veprimtarinë e PDI-së në këtë moment historik. Jeni egoist apo i shitur tek ata që kanë luftuar dhe luftojnë për groposjen e çështjes çame?
Ju deklaroni: Pas një heshtjeje 2-vjeçare, me shqetësimin e së ardhmes, pas mbledhjes së dështuar të kryesisë së partisë, vendosa të përfshihesha në debatin që ka lindur brenda partisë. Po ju informojmë se mbledhja e radhës nuk ka dështuar, por është zhvilluar në mënyrë korrekte, e gjallë, me diversitete mendimesh për problemet që kishte në rendin e ditës duke ia arritur qëllimit të saj. Nga të gjithë pjesëmarrësit është larguar vetëm një shoku juaj. Kush ju informon gabim ju, shoku Amos? Me largimin e një personi ju e quani mbledhjen të dështuar? Përse bini në këtë batak, përse e ulni veten në këtë nivel duke shpifur për PDI-në. Nuk e di se cila mendje e ftohtë do t’ju besonte se me largimin e një personi nga mbledhja ajo quhet e dështuar. Ju pas 2 vjetësh po angazhoheni nga jashtë partisë për forcimin apo për të mbjellë përçarje në gjirin e PDI-së?
Ju deklaroni se…: vendosa që të përfshihesha në debatin që ka lindur brenda PDI-së…
Jeni i vonuar shoku Amos. PDI, si çdo parti tjetër, mundohet të jetë vendi i debateve për të mirën e çështjes çame, vendi i alternativave, konkurrencës, mendimeve e kundërmendimeve, garës politike. Ju ngaqë nuk ishit i zoti ta përballonit nuk pranuat debatin, nuk u hapët në mbledhjen e kryesisë në Fier për ato  ç’ka ju kishit me kryetarin Tahir Muhedini dhe u larguat. Nga ju erdhi ky frymëzim? Ndofta ngaqë PDI-ja u bë realisht faktor për herë të parë në Parlamentin shqiptar. Kjo parti me kryetar Tahir Muhedinin në krye e çuan Çamërinë në Parlamentin shqiptar pas 65-vjetësh, ndërsa ju si egoist e quani anadollak dhe obskurantist. Për rolin ekuilibrues, atdhetar, me edukatën e fisit nga rrjedh ai është fisnik, ndërsa ju me këto etiketime, me këto veprime e keni ulur vetëm në rolin e një njeriu ordiner. Jeni kontradiktor, dashakeq, shoku Amos.
Deklaroni se…: Me 1200 vota të marra në qytetin e Tiranës, kryetari kërkon me sharlatanizmin e tij t’i bëjë presion qeverisë së re për të rrëmbyer karrige nga kjo maxhorancë…: Ku e keni hallin ju shoku Amos?! Ju vjen keq për qeverinë e re, për maxhorancën, pjesë e së cilës është edhe PDI-ja? Presion e quani ju një të drejtë legjitime të një partie fituese në zgjedhjet parlamentare, aq më shumë, që ka dhe një marrëveshje të PDI-së të firmosur botërisht nga kryetari Tahir Muhedini me zotin Sali Berisha për bashkëqeverisje. Kjo është normë, është e drejtë e çdo partie fituese. Në rast se do të marrë, sigurisht që i takon të marrë edhe poste ministrore, kjo do të gëzonte pa masë çdo çam të ndershëm. Kjo fitore e Tahir Muhedinit siç duket ju errëson sytë. Ndër të tjera ju shoku Amos deklaroni…: Se suksesi i detyrohet pse jo dhe mikut tonë Shpëtim Idrizi… dhe, se kryetari Tahir Muhedini loboi dobët dhe u humbën 5000 vota në qarkun e Fierit…:
Sa për rifreskim ju kujtojmë se, ky “patrioti ynë”, shoku Shpëtim, disa ditë para fillimit të fushatës elektorale deklaron se PDI nuk përfaqëson komunitetin çam…
Mirë se hallin ju dhe ai e keni tek Tahiri, po me drejtuesit e tjerë në rrethe çfarë keni? Nuk ju pëlqejnë drejtuesit e PDI-së si Vera Çeço, Hekuran Halili, Fadil Serjani, Omer Omeri, Asip Demo, Artan Murati, Galip Taho, Hasan Tahiri, Bashkim Aliu,  Kujtim Azbiu… etj., etj. Pra, këta drejtues me Tahir Muhedinin e çuan Çamërinë në parlamentin shqiptar. “Apologjinë” Shpëtimit tënd ia ka bërë, për këtë qëndrim të tij egoist antiçam, patrioti Hyqmet Zane, besoj se duhet ta keni lexuar në një organ të shtypit të përditshëm. Shoku Amos, mos doni të na mbushni mendjen e të na përrallisni se ky Shpëtim, anëtar i Partisë Socialiste “ish-komuniste” u mbushte mendjen njerëzve në Vlorë, Fier edhe gjetkë që të votonin për PDI-në, këtë nuk do ta kapërdinte edhe njeriu më naiv. Partia Socialiste (ish-komuniste) e Shpëtim Idrizit, duke i ditur numrat, e vuri me qëllim atë kandidate në qarkun e Vlorës, që të merrte votat e patriotëve tanë, që të mashtruar edhe i dhanë votat Shpëtimit, duke dëmtuar me subkoshiencë PDI-në. Po të ishte aq i zoti patrioti ynë Shpëtim Idrizi, por edhe Leonard Demi i Partisë Demokratike, ta hiqnin emrin nga lista shumemërore e partive të tyre në Vlorë e ta vendosnin në qarqet e tjera, si Korçë, Shkodër, e gjetkë dhe jo aty ku ka shumicë popullate çame!
Pra, votat e çamëve i mori një pjesë Partia Socialiste e gjysmëçamit Idrizi, ndërsa në qarqet e tjera siç duket puna paska dhe çam që luftojnë PDI-në dhe, një ndër këta jeni ju dhe co…
Sa për Fierin, po flisni pak si shumë. Doni të thoni që e njihni gjendjen, por ju kanë informuar gabim. PDI-ja në Fier nuk fitoi. Ishte pranë fitores. Jemi fitues moral. Koalicioni i djathtë ishte garancia, Partia Socialiste e Shpëtim Idrizit qe ajo që na e vodhi mandatin. Rëndësi ka se në Qarkun e Fierit u morën më shumë vota se në zgjedhjet e mëparshme. Kjo nuk është meritë e Nimet Musajit, siç doni ju, por është meritë e drejtuesve të partisë në Fier dhe djemve të tjerë të Çamërisë, që kanë shumë e shumë vjet që kontribuojnë mendërisht e financiarisht për PDI-në. Ndërsa ata të cilët ju deklaroni, kanë hyrë me vonesë në radhët e partisë dhe ndofta janë arsyet e mossuksesit. Një gjë është e qartë, se ju jeni të një mendje, ju jeni të një kuzhine. Ta dini mirë shoku Amos, se në Patos u morën më pak vota se 2 vjet më parë.
Shoku Amos!
Në rast se njerëzit, opinioni, votuan aq sa votuan nga Tirana në Sarandë votuan për PDI-në me kryetar Tahir Muhedinin. Nuk votuan as për Dashamirin, Nimetin, Asipin, Artanin…… por për PDI-në. Në asnjë fletë votimi nuk ishte emri i kandidatëve të mësipërm, por PDI Tahir Muhedini. Ai është fitues, doni s’doni ju. Si përfundim, ju bëjmë thirrje vëllazërore, largoni alergjinë që keni me kryetarin, mos kërkoni kutinë e Pandorës aty ku s’është. Lërini ata çamë që janë idealistë të punojnë dhe luftojnë me mjete demokratike të forcojnë PDI-në, ta çojnë përpara çështjen çame, në amanet të të parëve, të rënëve që kërkojnë drejtësi.
*Autori është Kryetar i PDI-së, FIER

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›