E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Brenda javës do të firmosim marrëveshjen me Berishën

Marrëveshja e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike për të bashkëqeverisur vendin në katë vitet e ardhshme, që do të jetë gati brenda pak ditësh, është cilësuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, si "një marrëveshje tepër parimore dhe solide për të qeverisur”. Kjo marrëveshje, tha sot në një konferencë për shtyp z. Meta, do të synojë të garantojë jo vetëm stabilitetin institucional të vendit, por njëkohësisht edhe një qeverisjeje të qëndrueshme, që do të përballojë sfidat me të cilat ndeshet përditë çdo qytetar i këtij vendi. "LSI ka qenë e hapur gjatë gjithë kësaj periudhe të konsultimeve për përfundimin e marrëveshjes më PD-në, si forca më e madhe fituese e zgjedhjeve në vend", tha lideri i LSI-së. Ai theksoi se “është marrë çdo mendim, duke filluar nga anëtarësia e LSI-së, specialistëve të saj në fusha të ndryshme, si edhe nga shoqëria civile në mënyrë që vendit t’i garantohet një qeveri solide dhe të qëndrueshme”. Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, PD dhe LSI deklaruan bashkëpunimin në katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo drejton fituan 70 deputetë në këto zgjedhje, ndërsa LSI dhe aleatët e saj 4 deputetë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›