Kriza, kthen ‘kurs’ aktiviteti i biznesit
Kriza globale ekon-omike duket se i ka zbutur disi efektet e saj në ekonomi. Për sektorët më kyç të ekonomisë ka rinisur rritja e aktivitetit të tyre. Sipas vrojtimit më të fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë theksohet se është rritur treguesi i besimit të biznesit dhe konsumatorëve gjatë 3-mujorit të dytë të vitit. Por pavarësisht kësaj, niveli i këtij treguesi është poshtë mesatares historike. "Treguesi i tendencës ekonomike(TTE) ka regjistruar kthesë të lehtë rritëse në tremujorin e dytë të vitit 2009, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë të vitit. Treguesi i tendencës ekonomike u rrit me 10 pikë gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar nivelin 81. Megjithatë, ai qëndron afërsisht 19 pikë poshtë mesatares së tij afatgjatë", thuhet në vrojtim. Në vrojtimit e BSH, bizneset kanë renditur edhe faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në rritjen e aktivitetit të tyre.
Sektori i industrisë
"Treguesi i besimit të industrisë (TBI) është rritur me 1.4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2009. Megjithëse treguesi shënoi rritje në tremujorin aktual, niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me një diferencë prej 15 pikësh përqindjeje. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, 39 për qind e bizneseve të industrisë janë shprehur se kontratat porositëse nuk kanë qenë aspak të mjaftueshme (tremujorin e kaluar ky tregues ishte 55 për qind). Pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e aktivitetit të tyre si dhe të ekonomisë në përgjithësi, në tremujorin e tretë të vitit janë më optimiste krahasuar me vlerësimin për situatën e tyre korrente".
Sektori i ndërtimit
"Treguesi i besimit të ndërtimit (TBN) është rritur me 4.4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2009 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Vlerësimi i bizneseve të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi, megjithëse në përmirësim nga vrojtimi i kaluar, edhe për vrojtimin aktual mbetet në nivele të ulëta negative. Bizneset kanë raportuar se prania e ekonomisë informale është faktori me ndikimin më të madh, i cili ka penguar aktivitetin e tyre. 59 për qind e bizneseve kanë raportuar se kontratat porositëse kanë qenë të mjaftueshme ose më shumë se normalja gjatë tremujorit të dytë të vitit, krahasuar me 44 për qind në tremujorin e parë të vitit. Rreth 41 për qind e tyre i vlerëson të pamjaftueshme kontratat e porositura gjatë tremujorit aktual (krahasuar me 57 për qind, në tremujorin e parë). Pritjet për tremujorin e tretë flasin për një përmirësim të mundshëm në sektorin e ndërtimit. Pritjet për çmimet e prodhimit sinjalizojnë një prirje të lehtë rënëse".
Sektori i shërbimeve
Sektori i shërbimeve ka regjistruar një rritje të lehtë të treguesit të besimit në tremujorin e dytë të vitit 2009, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë të vitit. Treguesi i besimit për këtë sektor është rritur me 1 pikë përqindje, duke mbetur gjithsesi poshtë mesatares së tij afatgjatë. Çmimet e shërbimeve, pas një prirjeje disa tremujore rënëse, gjatë vrojtimit të radhës kanë shënuar një kthesë drejt rritjes".