E Shtunë, 31 Tetor 2026

Golem, plazhi që “mbledh” ujërat e zeza të qytetit

 

DURRES/ OERD ULQINI

Në Golem plazhi "normal" mund të bëhet vetëm me maskë antigaz. Era e rëndë që kundërmon nga Përroi i Agait dhe ai i Plepave e bën të pamundur frekuentimin masiv të plazhit. Adriatikun jemi duke e trajtuar sikur të ishte një banjë publike, ndonëse nga ai det përfitojmë njëmijë e një të mira, të cilat fillojnë me peshkimin e mbarojnë me turizmin. Prej dekadash ujërat e zeza të një milion njerëzve (banorëve vendas dhe pushues) derdhen në një hapësirë të ngushtë nga Plepat e deri tek Përroi i Agait. Masakra ambientale bëhet akoma më alarmante, nëse mendon se pak kilometra më në veri të Durrësit hidrovorët e Porto-Romanos dhe të Hamallajt derdhin në det edhe ujërat e zeza të krejt zonës rurale. Në atë "koktej" fatal për mjedisin përmblidhet gjithçka që nga fekalet, detersivët, vajrat, etj. Duket se më e prekura nga ky fenomen është komuna e Golemit. Fati i shtatë fshatrave bregdetarë të kësaj komune është i lidhur pazgjidhshmërisht me turizmin. Në Golem janë aktive 300 subjekte tregtare, që nga hotelet luksoze, e deri tek fast food-et më të rëndomta, por të gjithë tregtarët ankohen në Komunë duke deklaruar refrenin: "Nëse bregdeti do të ishte më i pastër, fitimet nga turizmi do të ishin disa herë më të larta". Përballë kësaj gjendjeje kryekomunari Agron Agalliu i bën thirrje qeverisë për të vënë në jetë investimin prej 5.5 milionë euro, për impiantin që do të pastronte ujërat e zeza përpara se ato të derdhen në det. "Paratë janë gjetur, projekti për Golemin është i gatshëm, mbetet vetëm zbatimi i tij. Shpresoj që punimet të nisin në shtator, në mënyrë që vera e ardhshme të mos na gjejë më duke derdhur fekalet në det", tha Agalliu. Golemi është një komunë e fituar nga socialistët, por Agalliu nuk nguron të shprehë opinionin pozitiv për qeverinë "Berisha", përsa i përket energjisë elektrike. "Si asnjëherë më parë kemi pasur drita pa ndërprerje. Uji vazhdon të jetë problem, ndonëse situata është në përmirësim, ndërsa përsa i përket kanalizimeve gjendja është katastrofike. I bëj apel qeverisë për sistemimin e rrjetit të ujërave të zeza, pasi në këtë drejtim komuna nuk ka asgjë në dorë", tha Agalliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›