E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perkeqesim ne Libi njerezit braktisin masivisht vendin

Situata në kufirin mes Libisë dhe Tunizisë ka arritur pikën shpërthyese, pasi dhjetëra mijëra të huaj janë duke lënë vendin e përfshirë nga trazirat. Kombet e Bashkuara kanë vënë alarmin, ndërsa ekipet e ndihmës ndihen të paafta të përballojnë fluksin e personave që largohen nga Libia.

Korrespondentët nga terreni thonë se 140000 persona kanë kaluar kufirin nga Libia drejt Tunizisë. Ashtu sikundër SHBA kishin deklaruar më herët, lideri libian, Muammar Gaddafi duket se ka humbur lidhjet me realitetin. Ai u ka thënë gazetarëve perëndimorë se gëzon dashurinë e njerëzve të vet dhe ka mohuar protestat në Tripoli. Intervista e tij vjen mes raportimeve që Gadafi është duke u përpjekur të rifitojë kontrollin në zonat e pushtuara nga kryengritësit në Libinë Perëndimore.

Kolonel Gaddafi përballet me një sfidë masive të popullit ndaj regjimit të tij 41-vjeçar, ndërsa lindja e vendit është në duart e protestuesve.

Dëshmitarët thonë se forcat pro Gadafit janë përpjekur të rimarrin qytetet perëndimore të Zauajas, Misratës dhe Nalutit, por janë zmbrapsur nga kryengritësit, të ndihmuar nga njësi të ushtrisë.

Ndërkohë, Gjermania ka dhënë një sinjal të pagabueshëm për pozicionin e vet, duke ngrirë një llogari prej 2 milionë euro të njërit prej djemve të kolonel Gadafit.

Ministri i Jashtëm gjerman,  Guido Westerwelle tha në Berlin se kjo lëvizje tregon se sanksionet ndaj Gadafit nuk janë vetëm teori, por po gjejnë zbatim të menjëhershëm. Edhe Austria ka ngrirë 1.2 miliardë euro asete të drejtuesve të regjimit të Tripolit.

Kryqi i Kuq është duke kërkuar të hyjë për ndihmë në Libinë Perëndimore, mes raportimeve konfuze për sulme ndaj mjekëve dhe vrasje të pacientëve.

Ndërkaq, Qeveria bjelloruse ka përgënjeshtruar lajmet e medias se avioni i Gadafit ishte parë në Minsk, disa ditë më parë. Sipas raportimeve, Gadafi ishte duke transportuar në këtë vend, pasuri të familjes dhe disa nga familjarët e tij.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›