Përkeqësimi i situatës sinoptike, Policia Rrugore masa në të gjithë vendin
Nisur nga përkeqësimi i pritshëm i situatës së motit gjatë ditëve në vijim, ku priten reshje shiu dhe dëbore në territorin e vendit, Drejtoria e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë masa për vënien në efiçencë të plotë të shërbimeve të policisë rrugore në të gjithë vendin, me qëllim:
- për të këshilluar dhe ndihmuar me informacionin e duhur përdoruesit e rrugës,
- si dhe për ushtrimin e kontrolleve për respektimin nga ana e drejtuesve të mjeteve të kërkesave të Kodit Rrugor dhe në drejtim të pajisjes së tyre me pajisjet dimërore, me qëllimin që ata të udhëtojnë të sigurt drejt destinacionit të tyre.
Në këtë kontekst, Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, porosit përdoruesit e rrugës që të tregohen të kujdesshëm, si dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore, veçanërisht për:
1. Respektimin e normave të shpejtësisë.
2. Mospërdorimin e pijeve alkoolike.
3. Përdorimin e rripit të sigurimit.
4. Shmangien e parakalimeve të gabuara.
5. Përdorimin e kaskave mbrojtëse.
6. Përdorimin e dritave jo verbuese.
7. Përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.
Në çdo rast qytetarët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin përmes numrit telefonik pa pagesë 129, si dhe numrit 126.
Drejtoria e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët e tjerë për përmbushjen e detyrave, për t`u ardhur sa më mirë në ndihmë qytetarëve.
Të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore janë porositur që të tregojnë kujdes dhe të këshillojnë drejtuesit e mjeteve, sidomos ata të shërbimit publik, për respektimin e normave të shpejtësisë të përcaktuara në sinjalistikën rrugore.
Nga informacionet e marra nga shërbimet e Policisë Rrugore për ditën e sotme rezulton:
-Në Kukës, aksi rrugor Topojan - Shishtavec është i pakalueshëm, ndërkohë Topojan - Kukës i kalueshëm me zinxhirë. Kalohet me zinxhirë aksi Ujmisht - Lusen - Bushtricë-Kala Dodës në drejtim të Peshkopisë, si dhe aksi Shëmri - Qafë Shllak. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore të këtij qarku.
- Akset rrugore Peshkopi - Sllovë - Kala e Dodës, Reç - Zall - Dardhë - Aras - Muhurr - Peshkopi janë të kalueshme me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka shtresa akulli. Po ashtu akset Bulqizë - Shupenz - Ostren dhe Stëblevë - Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë aksi Aras - Lurë është i pakalueshëm, po punohet për pastrimin e këtij aksi. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
- Në rrethin e Malësisë së Madhe ka dëborë në zonat e thella, lëvizet me zinxhirë në aksin Koplik - Razëm. Po ashtu dhe në akset Bogë - Theth, Salcë , po punohet për pastrimin e tyre.
- Në rrethin e Pukës, akset Fushë Arrës - Qafë Mali- Qafë Shllak, Qafë Mali - Dardhë dhe Fushë Arrës - Iballë janë të kalueshme me zinxhirë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
- Në akset në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës kalohet me zinxhirë.
- Aksi Librazhd - Bulqizë momentalisht është i kalueshëm me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka dhe shtresa akulli. Aktualisht po punohet për pastrimin e këtij aksi.
-Në segmentin rrugor Korçë - Qafa e Qarrit, lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë; po ashtu dhe në akset rrugor Korçë - Boboshticë - Dardhë dhe Korçë - Voskopojë qarkullohet me zinxhirë.
-Në segmentin rrugor Vlorë - Llogora, lëvizja e automjeteve në disa segmente që kanë shtresa akulli dhe vetëm gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, bëhet me zinxhirë, ndërsa gjatë orëve të mesditës kalohet pa zinxhirë. Aktualisht po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.