E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkeqësohet moti, mblidhet Komisioni i Emergjencës në Shkodër

SHKODËR - Përkeqësimi i kushteve atmosferike në rajonin verior, mblodhi sot në mesditë Komisionin e Emergjencës Civile pranë prefekturës së Shkodrës.
Duke folur për masat që po merren nga Komisioni i Emergjencës Civile, prefektja Voltana Ademi tha se deri tani situata është menaxhuar shumë mirë, duke qenë të pranishëm kudo aty ku nevoja ka qënë më emergjente.

Situata energjetike paraqitet me problematika sporadike të vogla ku kanë kërkuar ndërhyrje dhe angazhim më të madhe të njësive përkatëse në komuna, si dhe të strukturave të CEZ, duke e mbajtur përgjithësisht të normalizuar situatën, tha ajo.
Për zonat që janë evidentuar më problematike, si ato të Pukës, Kelmendit, dhe Dukagjinit, Ademi tha se është kontaktuar me strukturat e qeverisë shqiptare duke kërkuar vëmendjen e duhur për të ndërhyrë dhe për t’i ardhur në ndihmë në ditët në vazhdim, pasi parashikohet se situata, nga reshjet e dëborës, do të jetë edhe më e vështirë në vazhdimësi.

Ademi shtoi se strukturat e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, kanë garantuar dërgimin e mjeteve të specializuara për mbështetur qarkun e Shkodrës në përmirësimin e situatës.
Sot, situata paraqitet më e vështirë se ditët e kaluara, ku reshjet e dëborës janë shtuar së tepërmi në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, përfshirë edhe qytetin e Shkodrës, ku trashësia e dëborës është mbi 30 centimetra.
Ndërkohë, duke iu referuar komunave të thella malore, Ademi veçoi si më të vështirin rrethin e Pukës ku në komuna dëbora shkon në 1.5 metër. Sipas saj, të gjitha komunat e këtij rrethi janë në një gjendje shumë të vështirë, rruga nacionale që lidh të gjitha njësitë vendore atje paraqitet me shumë vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Po kështu, e vështirë paraqitet gjendja për ditën e sotme edhe në komunën Kelmend të rrethit Malësi e Madhe, nga pjesa e Tamarës në drejtim të Lëpushës dhe Vermoshit, ku për shkak të reshjeve të rëna që nga mbrëmja e djeshme situata është shumë e rënduar. Në vështirësi serioze janë edhe komunat e izoluara të zonës Dukagjinit, Shllak, Shosh, Shalë, Pult, Temal.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›