E Diel, 1 Nëntor 2026

Orteku, qeveria e Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave

PRISHTINË - Qeveria e Kosovës u shprehu sot ngushëllimet familjeve të viktimave të shkaktuara nga orteku i borës në fshatin Restelicë. Në një komunikatë për mediat, Qeveria e Kosovës njofton se ka ndjekur nga afër gjendjen e krijuar nga rënia me intensitet e borës gjatë natës së mbrëmshme në komunat e rajonit të Dukagjinit, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me kryetarët e komunave të Pejës, Gjakovës dhe Deçanit.

Po ashtu, Qeveria ka angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Restelicë, ku helikopterët e KFOR-it nuk kanë mundur të ulen për shkak të kohës, ndërsa njësitet e FSK-së tanimë kanë arritur dhe do të angazhohen maksimalisht për ndihmë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është duke ndjekur nga afër gjendjen dhe është në kontakt me ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, si dhe kryetarin e komunës së Sharrit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të këtij rajoni, Rasim Demiri e Suada Balje, të cilët janë në vendin e ngjarjes.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›