Përkthimet e librave, kërkohet vendosja e mekanizmave
Gjuha angleze, botimet në gjuhën ndërkombëtare, por edhe përkthimet anglisht-shqip, janë bërë tema e ditës sidomos në ambientet universitare. Kjo ka ardhur menjëherë pas deklaratës dhe sugjerimit të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me “përveshjen e mëngëve” dhe punës serioze e rigoroze të përkthimit të botimeve për nxënësit dhe studentët. Kjo ide është përkrahur dhe është vlerësuar nga stafet akademike, megjithatë para marrjes së një iniciative të tillë, e cila është bërë publike edhe një herë tjetër në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, kërkon disa “ombrella” mbrojtëse, si dhe kushtet e nevojshme për t’u kultivuar. Investimi për përkthim kërkon në radhë të parë vendosje të mekanizmave dhe më pas motivimin dhe stimulimin e profesorëve që do të merren me përkthime. Po ashtu duhet të vendosen kritere dhe kushte mes botuesve e profesorëve dhe mbi të gjitha duhen sqaruar konkretisht dhe saktësisht funksioni dhe ndarja e kompetencave mes botuesve e redaktorit shkencor. Mbi të gjitha, sipas universiteteve, në këtë rast nevojitet edhe hallka e ndërmjetësimit. Kjo do të thotë që të marrësh të drejtën e autorit për të përkthyer, por, nga ana tjetër, për të gjetur edhe mbështetjen e problemeve teknike e profesionale, nevojitet ndërmjetësimi mes sektorëve dhe strukturave. Kryesorja, por që në fakt pritet të gjejë zgjidhje, ashtu siç është proklamuar edhe nga Kryeministri, është edhe çelja apo akordimi i fondeve ekskluzivisht për çështjen e përkthimeve. Në konferenca të ndryshme, por edhe në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, Kryeministri ka vendosur në dukje, se tashmë botimet që u serviren studentëve duhet të jenë moderne, bashkëkohore dhe me vlera. Ndërkohë që do të sigurohen nga ana e qeverisë fondet dhe hapësirat e nevojshme për implementimin e kësaj reforme të madhe në fushën e përkthimeve, botimeve, por edhe rritjes së efektshmërisë në studimet parauniversitare, por edhe universitare. Në një konferencë organizuar dy ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Berisha ka përfituar nga rasti për t’u kërkuar drejtuesve të universiteteve, stafeve pedagogjike, që të përkthejnë botime të huaja, kryesisht ato të gjuhës angleze. Sipas tij, duhet të ngihet një grup pune, që të merret me rishikimin e të gjitha teksteve, pasi ka botime që nuk i plotësojnë kriteret. “Tekstet kanë hierarki, disa prej tyre janë limonadë. T’i përvishemi përkthimit të teksteve më të mira, të krijojmë module edhe të ribotimit të tyre, përmirësimet që bëjnë, është kusht", sqaroi kreu i qeverisë. Sakaq, nisur nga deklaratat, por edhe projektet, pritet që për vitin e ri shkollor dhe akademik të nisë procesi i konkurrimit për sa i takon paraqitjes së teksteve dhe botimeve të përkthyera, sidomos nga gjuha angleze. Për kriteret, detajet dhe kushtet që duhet të plotësojnë konkurrentët, procedurat do të bëhen transparente dhe publike në kohë nga Ministria e Arsimit.
Nga ana tjetër, anglishtja do të shihet me prioritet për studimet e specializimeve pasuniversitare. Ashtu siç është sqaruar edhe nga krerët e arsimit, TOEFLI do të jetë certifikimi ndërkombëtar i gjuhës angleze që duhet të kenë studentët në proces masteri apo kandidatët për doktorantë.
#