E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi: Athina duhet të mendohet mirë për të zgjidhur çështjen

Polemikat Emri i Maqedonisë, Drucas-Milloshovski pa rezultat

Greqia do të duhet të mendohet seriozisht se si do të veprojë për sa i përket mosmarrëveshjes dypalëshe për emrin me Maqedoninë. Këtë mesazh ka dhënë ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshovski, i cili u takua me ministrin plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Drucas, në suazat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sarajevë. Takimi Milloshovski-Drucas nuk kishte jehonë të madhe në mediat në Maqedoni. Deklaratat pas këtij takimi ishin me mesazhe të dëgjuara më parë, ku zyrtarët në Shkup, zgjidhje të çështjes së emrit shohin në lëshimet që sipas tyre duhet të bëjë Greqia. Pas takimit me ministrin plotësues grek të Punëve të Jashtme, Dimitris Drucas, ai i Maqedonisë Antonio Milloshovski deklaroi se Athina duhet të mendohet seriozisht se si do të veprojë për sa i përket mosmarrëveshjes dypalëshe. Sipas ministrit Milloshovski, veprimet e saj mund të dëmtojnë kredibilitetin ose të vërë peng procesin e zgjerimit të BE-së dhe të Maqedonisë. “Bllokimi sipas nesh nuk do të sjellë as përfitime për Greqinë dhe as nuk do të shtojnë kredibilitetin e BE-së. Gjithashtu mendojmë se një gjë e tillë mund ta dëmtojë procesin e bisedimeve dypalëshe, të cilat i zhvillojmë bashkërisht dhe përpiqemi të arrijmë një zgjidhje kompromisi”, tha ministri Milloshovski, i cili nga Sarajeva dha edhe mesazhet se vendi i tij mbetet i angazhuar në rrugën e integrimeve. Madje pret që në javët në vijim t'i caktohet dhe një datë për fillimin e negociatave përfundimtare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›