E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, bashkohen shqiptarët për Strugën

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka qëndruar sot në Strugë, disa ditë para raundit të dytë, për të përsëritur dhe një herë mbështetjen e kësaj partie për kandidatin shqiptar nga radhët e PDSH-së.

Gjatë vizitës së sotme, ku janë realizuar takime me strukturat partiake, Ahmeti ka qenë i shoqëruar nga shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Abdylaqim Ademi, i cili ka deklaruar se pavarësisht rezultatit në Strugë, BDI ka dalë fituese me më shumë se 25 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2011.

Kryetari i BDI-së, Ahmeti, ka falënderuar të gjithë struganët për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Ne vazhdojmë të mbetemi konsekuent në qëndrimet politike. Ne qëndrojmë pas deklaratave dhe vendimit tonë, qëndrojmë pas deklaratës së kandidatit tonë për kryetar të Strugës Arben Llabënishti, që do përkrahim kandidatin shqiptar që ka një votë më shumë. Duhet të angazhohemi që kandidati shqiptar të fitojë dhe të bëhet kryetar komune në Strugë. U bëj apel të gjithëve që të dilni më 7 prill të votoni kandidatin shqiptar për Strugën”, tha kryetari i BDI-së.

Ahmeti gjithashtu para të pranishmëve tha se kjo periudhë nuk është për analiza, por periudhë kur duhet punuar për të ardhmen e Strugës.
“Këtë vit kemi edhe kongresin e tretë të BDI-së dhe pas zgjedhjeve do fillojmë me zgjedhjet e brendshme partiake dhe është momenti për reflektim”, theksoi ndër të tjera kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në takimin me strukturat e BDI-së në qytetin e Strugës.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Strugës nga radhët e BDI –së në rrethin e parë zgjedhor Arben Labënishta theksoi se qe nga 25 marsi është duke punuar në terren me të gjitha strukturat e BDI-së që më 7 prill të gjithë ne të realizojmë qëllimin dhe Struga edhe më tej të ketë kryetar shqiptar.

Ai bëri apel te të gjithë votuesit për mbështetje të sinqerte dhe pa rezervë të kandidatit shqiptar në rrethin e dytë duke dalë në mënyrë masive dhe duke shfrytëzuar të drejtën qytetare për të votuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›