E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohen 10 martirët e Lubetenit, pjesëmarrje simbolike

Shkup, 12 gusht - Me një pjesëmarrje simbolike dhe në mungesë të disa familjarëve të viktimave, sot u nderuan 10 banorët e Lubetenit, të vrarë më 12 gusht 2001, gjatë aksionit policor. Për dallim nga vitet e kaluara, nga funksionarët e lartë sot ishte prezent vetëm kryetari i Shoqatës së Veteranëve të luftës, Fazli Veliu, dhe disa bashkëfshatarë. Si shkak për pjesëmarrje gjithnjë e më të pakët për të nderuar viktimat, disa familjarë theksojnë se është rezultat i zhgënjimit të tyre nga ana e pushtetarëve shqiptarët për t’i ndihmuar ata. Shumicës së tyre ua kanë ndërprerë edhe asistencën sociale që e kanë marrë në vlerë prej 1 200 denarë në muaj.
“Kisha kërkuar si e kanë maqedonët, ata i kanë krejt të vetat, pare ju jep, neve kurrgjë hiç, na kanë hedh anash, s’na kshyr kërkush”, u shpreh Abduraman Halili, familjar i viktimave.
Por numri një i SHVL-UçK-së Veliu theksoi se deri në vitin 2006 këto familje janë vizituar rregullisht, ndërsa nga viti 2008 sërish ka vazhduar konsolidimi me ta.
“Nga rrethanat që u krijuan në vitin 2006-2008, të cilat ishin shumë të rënda për popullin tonë, nuk kemi pasur mundësi që të vijmë pranë tyre, ndërsa tash përsëri konsolidohemi që të vijmë dhe nuk e paralajmërojmë por e tregojmë bindshëm se vitin e ardhshëm, me rastin e 10 vjetorit, këtu do ta mbledhim gjithë kombin shqiptar për të dëshmuar se ky vend është një Pezë e dytë e sulmuar nga fashistët vendorë”, theksoi Fazli Veliu.
Homazhet në varrezat e dëshmorëve janë të rregullta por jo edhe vizitat në familjet e dëshmorëve për t’i pyetur për brengat, hallet dhe problemet me të cilat përballen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›