E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohen Vilson Blloshmi e Genc Leka

Rektorati i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në bashkëpunim me departamentin e Gjuhë-Letërsisë dhe me mbështetjen e kryebashkiakut të Librazhdit, organizuan në qendrën kulturore konferencën shkencore “Dy jetë intelektuale të prera në mes”.

Rektori i universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Liman Varoshi, në fjalën e tij vlerësoi dy zërat e rinj të letërsisë shqipe nga një krahinë me jo pak figura historike si ajo e Bërzeshtës, të cilët u martirizuan në mënyrën më të egër nga diktatura komuniste. Pas burgimit për veprimtarinë e tyre letrare ata u pushkatuan nga diktatura e proletariatit e asaj kohe.

Ndërsa studiuesi Sadik Bejko bëri një panoramë të zgjeruar të veprimtarisë patriotiko-letrare të poetëve të rinj, duke sugjeruar që  krijimtaria e tyre letrare të zinte vendin e saj në nivelet e shkollave shqiptare.
Për metaforën artistike dhe në tërësi për forcën e fjalës poetike me peshën e figurave  të spikatura letrare foli edhe deputeti, njëkohësisht pedagog i nniversitetit “Aleksandër Xhuvani”, Luçiano Boçi.

Ndër bashkëkohësit e poetëve, solli kujtime profesor Riza Hasa, i cili foli për vetitë e virtytet e poetëve të rinj, të spikatura që në moshën e hershme të rinisë shkollore në  Normalen e Elbasanit.

Dy poetët qe kanë marrë shumë çmime letrare pas vdekjes, janë nderuar me titujt “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe “Nderi i Republikës” nga Presidenti i Republikës.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut 1977, për të vetmin faj se kishin lindur poetë. Mësues dhe poetë të talentuar, ata aspironin për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Ndaj tyre u organizua një gjyq politik i inskenuar. Akuzat ishin të rënda për “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”. Rreth dhjetë vjet më parë në qytetin e Librazhdit u ngrit një përkujtimore në nderim të dy figurave të spikatura.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-01-29 00:15
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›